Arbëri

A duhet të mësojnë shqiptarët gjuhët e minoriteteve

Descriptive Text

Grupi i punës për çështje të gjuhëve i Këshillit Konsultativ për Komunitete, që vepron në kuadër të Zyrës së presidentit, në bashkëpunim me Zyrën e komisarit për gjuhët në Zyrën e kryeministrit, organizuan të martën në Pejë një tryezë për qasjen e mediave lokale dhe atyre të shoqërisë civile në përdorimin dhe promovimin e gjuhëve zyrtare në komunat e rajonit të Pejës.

Esma Leshanin, redaktore e programit në gjuhën boshnjake në Radio Pejë, tregoi nga përvoja e saj në punë 18-vjeçare se nuk është ballafaquar me ndonjë pengesë të përdorimit të gjuhës së saj amtare. Por ajo theksoi problemin me të cilin ballafaqohen studentët boshnjakë në universitetin publik të Pejës, “Haxhi Zeka”.

“Nuk ka përkthime në gjuhën boshnjake te konkurseve apo lajmërimeve.

Ky është universitet publik dhe duhet të ketë edhe në gjuhën boshnjake konkurse dhe lajmërime, ngase në këtë universitet ka drejtime dhe ligjërata në gjuhën boshnjake. Prandaj edhe studentët boshnjakë kanë nevojë të kenë lajmërime dhe konkurse në gjuhën e tyre amtare, ngase ka të rinj boshnjakë që nuk e njohin gjuhën shqipe”, tha ajo, duke shtuar se në Komunën e Pejës të gjitha materialet janë të përkthyera e gjithashtu edhe lajmërimet janë në dy gjuhë, shkruan sot “Koha Ditore”. Ndërsa arsimtari i edukatës fizike në Shkollën Fillore në Vitomiricë të Pejës, Rejhan Kurbasheviq, u ankua se materialet mësimore nuk janë të përkthyera mirë në gjuhën boshnjake.

Drejtuesja e tryezës, Sanja Vukoviq, nga Këshilli Konsultativ për Komunitete, ndërhyri duke e pyetur se a kanë orë në gjuhën boshnjake gjatë javës edhe nxënësit shqiptarë në shkolla të Pejës apo vetëm boshnjakët orë në gjuhën shqipe. Kurbasheviq i tha asaj që nuk ka lëndë zgjedhore në gjuhën boshnjake për nxënësit shqiptarë, pasi, sipas tij, gjuha shqipe është gjuhë që e përdorin mbi 90 për qind e shoqërisë.

“Unë konsideroj që ne komunitetet joshumicë që jetojmë këtu duhet ta mësojmë gjuhën shqipe nëse duam të jetojmë dhe integrohemi në Kosovë si komunitet joshqiptar. Në shkollën tonë kemi diku rreth 700 nxënës dhe prej tyre janë rreth 250 boshnjakë. Tash nuk mundemi të kërkojmë prej komplet shoqërisë shqiptare të mësojnë gjuhën boshnjake”, shprehu ai mendimin e tij. E derisa ai fliste, drejtuesja e debatit i tha se do të duhej edhe shqiptarët ta mësojnë gjuhën boshnjake e atë serbe.

“Jo që duhet, por kishte qenë mirë të mësojmë gjuhën e njëri-tjetrit. Nëse komuniteti boshnjak dëshiron të integrohet në shoqërinë kosovare, shoqëria kosovare duhet t’ia kthejë atë në mënyrë të njëjtë. Është mirë që të ekzistojë një reciprocitet”, tha Vukoviq. Kjo tryezë pastaj u soll jo vetëm rreth të drejtës së përdorimit të gjuhës zyrtare, por edhe të mësimit të gjuhëve të njëri-tjetrit të komuniteteve që jetojnë në këtë rajon. Mirëpo përfaqësuesi i komunitetit egjiptian në Këshillin Konsultativ në Grupin punues për legjislacion, Adem Abazaj, konsideroi se komunitetet minoritare duhet ta mësojnë gjuhën shqipe, nëse, siç shtoi ai, dëshirojnë të integrohen më lehtë në shoqëri.

“Është absurde që ne t’i detyrojmë shqiptarët të mësojnë gjuhën serbe apo boshnjake. Minoritetet duhet ta mësojnë gjuhën shqipe”, tha Abazaj. Edhe boshnjakja Sadika Kofrec gjithashtu shprehu mendimin e saj që duhet të mësohet gjuha shqipe dhe se, sipas saj, nuk mund të obligohet shumica shqiptare të mësojë gjuhën boshnjake apo atë serbe.

“Por në institucionet shtetërore duhet ta dinë dhe të fitet dygjuhësia”, shprehu ajo mendimin e saj. Përfaqësuesit e komunitet serb që ishin të pranishëm në këtë tryezë nuk i përkrahën e as nuk i kundërshtuan mendimet e përfaqësuesve të komuniteteve të tjera që konsideruan se duhet ta mësojnë gjuhën shqipe, nëse duan të integrohen më lehtë në shoqëri. Përkundrazi Sanja Vukoviq, nga Këshilli Konsultativ për Komunitete, u tha të gjithëve se duhet të kenë kujdes në përdorimin e termeve, ngase, sipas saj, ka dallim simbolik ndërmjet integrimit dhe asimilimit.

“Unë nuk jam kundër që të mësohet gjuha shqipe, por dua t’ju them që të jeni të kujdesshëm se është një vijë shumë e hollë mes integrimit dhe asimilimit. Por nëse dikush ua ndalon të drejtën e juaj gjuhësore, atëherë është momenti kur ju duhet të luftoni për të drejtat tuaja. Në atë moment kur ju pajtoheni që vetvetes t’ia cenoni këtë të drejtë, ju si komunitete jeni në humbje. Ju jeni në hap të asimiloheni. Kosova është një shoqëri e të gjitha komuniteteve që jetojnë këtu. Nuk është as për pakicë e as për shumicë, as më shumë e as më pak”, u shpreh ajo, sikur të kishte frikë se mësimi i gjuhës shqipe i asimilon komunitetet tjera, të cilave ajo u tha se duhet ta ruajnë identitetin e tyre kulturor dhe gjuhësor. E përderisa ende punohet me shkolla dhe programe të ndara, sipas Vehbi Klaiqit nga Zyra e komisarit për gjuhët, nuk mund të thuhet që ka një bazë ligjore që obligon komunitetin joshqiptar ta mësojë gjuhën shqipe dhe anasjelltas.

“Ne më tepër po flasim nga aspekti i të drejtave njerëzore, pavarësisht nga përqindja e popullatës që flet njërën nga gjuhët zyrtare në Kosovë, është mirë që të mësohen gjuhët zyrtare. Unë po shoh neglizhencë të këshillave komunale për komunitet dhe të nënkryetarëve të komunave për komunitet, sepse janë ata hallka e parë që të ndërmarrin diçka në përmirësimin e raporteve gjuhësore për të drejtat e përdorimit të gjuhëve, pasi ne nuk kemi konstatuar që dikush dikë po e pengon”, u shpreh Klaiqi. Në Pejë, përveç gjuhës shqipe dhe asaj serbe, si gjuhë zyrtare është edhe gjuha boshnjake në nivelin komunal.