Arbëri

Thaçi takon homologen kanadeze, e cila më 1999 ishte astronaute dhe e kishte fotografuar Kosovën nga hapësira

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në Kanada, është pritur nga homologia e tij, Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë, Julie Payette.

Presidenti i ka shprehur homologes së tij kanadeze mirënjohje për mbështetjen që Kanadaja i ka dhënë Kosovës tash e dy dekada.

“Jemi mirënjohës që keni ndihmuar Kosovën gjatë luftës, duke pranuar 7 mijë refugjatë, por edhe për kontributin në ndërtimin e paqes, duke qenë pjesë e KFOR-it, UNMIK-ut dhe organizatave të tjera ndërkombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa, shefja e shtetit të Kanadasë, Guvernatorja e Përgjithshme, Julie Payette, ka treguar se në vitin 1999 kur në Kosovë kishte luftë, ajo ka punuar si astronaute dhe e ka fotografuar Kosovën nga hapësira.

“Nga lartë shihet vetëm globi, por jo edhe kufijtë”, ka theksuar ajo.

Thaçi ka thënë se Kosova dhe Kanadaja duhet të thellojnë bashkëpunimin, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe sigurisë.

“Përvoja e Kanadasë në ndërtimin e institucioneve gjithëpërfshirëse është e vlefshme për Kosovën dhe duhet të mësojmë prej saj”, ka thënë ai.

Presidenti dhe homologia kanadeze kanë thënë se paqja, dialogu dhe bashkëjetesa janë vlera, parime dhe aspirata që bashkojnë Kosovën dhe Kanadanë.​