Arbëri

Lluka: TC “Kosova e re” nis së ndërtuari më 2019

Ndërprerja e energjisë elektrike pa paralajmërim, tarifat e larta si dhe mungesa e konkurrencës në tregun e energjetik, janë ndër barrierat më të mëdha që po iu shkaktohen bizneseve në Kosovë.

Kryetari i OEK, Safet Gërxhaliu ka thënë se çështja e energjisë është në top dhjetë barrierat për bizneset, dhe kostoja është përreth 14 për qind më e shtrenjtë se në shtet tjera.

“I kemi dhënë vetës të drejtë që të bëjmë një hulumtim sa i përket furnizimit me energji elektrike dhe definitivisht të gjeturat janë ato, që Kosovën dëmtojnë në dy aspekte, në aspektin intern është një sfidë e cila vërtet furnizimi me energji elektrike, ose mos furnizimi me energji elektrike ndikon në mënyrë të drejtpërdrejt në koston e prodhimeve dhe shërbimeve ‘Made in Kosova’. Ajo çka është më interesante se është e pa mundur të mendohet për konkurrueshmëri, sepse një kosto e tillë vërtet është e pa përballuar”, ka thënë Gërxhaliu, raporton KP.

Ai ndër të tjera ka thënë se shqetësuese mbetet mos ndërtimi i kapacitete reja për prodhimtari energjetike.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë në vazhdimësi ka qenë kritikues për sektorin e energjisë dhe kualitetin e saj.

Ai ka thënë se janë të përkushtuar për përmirësimin e sektorit të energjisë, ku kanë bërë një strategji dhjetë vjeçare që pritet të aprovohet së shpejti në Qeveri.

Sipas tij, janë duke punuar për finalizimin e kontratës për TC Kosova e re, sepse kjo çështje është tej zgjatur mjaft.

“Në momentin e nënshkrimit të kësaj kontrate në fund të vitit, atëherë fillon procesi i tenderimit dhe besoi që brenda vitit 2018 përfundon çdo gjë, duke përfshirë marrëveshjen financiare dhe në fillim të vitit 2019 duhet të filloi ndërtimi, me shpresë që të përfundoi deri ën fund të vitit 2022 apo në fillim të vitit 2023 dhe në atë moment të shuhet ‘Kosova A’”, ka thënë ministri Lluka.

Po ashtu, Llula ka deklaruar se e kanë në plan edhe integrimin e fushës së energjisë me rajon. Ministri i MZHE-së po ashtu ka përmend se kanë probleme me Serbinë për shfrytëzimin e Transmisionit me Shqipërinë.

Ilir Rexhepi nga GIZ-i gjerman ka thënë me këtë rast se furnizimi, çmimi i energjisë çdo herë janë evidentuar si barrierë për bizneset. Ai ka kërkuar pako me tarifa stimuluese për bizneset.

“Ne mendojmë se ky problem mund të ketë zgjidhje të përhershme nëse trajtohet me një qasje shumë dimensioanle dhe mbështetur nga të gjitha palët e interesit. Mendojmë se akterët kryesorë në sektorin e energjisë në Kosovë duhet të hartoi masa dhe pako me tarifa stimuluese, nxitëse të cilat janë të favorshme dhe të dedikuara për prodhuesit kosovarë”, shtoi Rexhepi.

Faton Thaçi, zëvendësministër në MTI, ka thënë se rryma është një ndër faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin dhe prodhimtarinë. Sipas tij, që nga pas lufta mungesa e energjisë elektrike ka qenë pengesë për bizneset, po ashtu çmimi i lartë i energjisë, mungesa e tregut konkurrues të energjisë elektrike.