Arbëri

Saranda do të bëhet me aeroport

Ministri i Transportit dhe Energjisë Damian Gjiknuri tha se përveç aeroportit të Vlorës, ku po bëhet studimi i fizibilitetit, po kryejnë një studim për ndërtimin e një aeroporti turistik edhe në Sarandë.

Në Komisionin e Ekonomisë, Gjiknuri tha se Saranda është qyteti më i përshtatshëm për ndërtimin e aeroportit, duke sjellë zhvillim në të gjithë zonën.

“Ne kemi plane edhe për promovimin e mundësisë së ndërtimit të aeroporteve të reja. Tashmë ka interes të shprehur nga një konsorcium turk për aeroportin e Vlorës i cili është duke u përgatitur studimi i fizibilitetit. Ashtu sikurse po kryejmë një studim për mundësinë e ndërtimit të një aeroporti turistik në Sarandë, pasi mendojmë që Saranda me mundësitë turistike që ka dhe kapacitetet e hotelerisë që ka dhe e ndodhur përballë një hapi turistik siç është Korfuzi ka shumë mundësi që të justifikohet ngritja e një aeroporti që do të sjellë një zinxhir tjetër zhvillimi në të gjithë zonën”, tha ministri Gjiknuri.