Arbëri

LDK thotë se është e përkushtuar në procesin e Integrimit Evropian

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, së bashku me deputetët e tjerë të Kuvendit të Kosovës po merr pjesë në “Tryezën e rrumbullakët të nivelit të lartë mbi Procesin e Integrimit Evropian të Ballkanit Perëndimor në Perspektivën Rajonale “ e cila po mbahet në Bruksel. Tryezë kjo e organizuar në kuadër të Programit Mbështetës të Parlamentit Evropian për parlamentet e vendeve të zgjerimit.

Në sesionin e parë të kësaj tryeze u diskutua për Agjendën e reformave dhe zbatimin e tyre sa i përket Procesit të Integrimit Evropian të Ballkanit Perëndimor me ç’rast Hoti theksoj se LDK-ja mbetet e përkushtuar të mbështes reformat që duhet të ndërmerr Kosova për ta përgatitur vendin për anëtarësim në BE.

Gjatë diskutimit për Instrumentin Financiar të Para – Anëtarësimit ( IPA II ), Hoti theksoj se “ Pavarësisht se Fondet IPA po ndihmojnë Kosovën ato duhet të kenë një planifikim shumë më efikas dhe të mirë koordinuar me qeverinë dhe akterët e tjerë, përfshirë këtu edhe trupat parlamentare që merren me buxhetin dhe zhvillimin ekonomik. Gjithashtu duhet investuar edhe me shumë në ngritjen e kapaciteteve teknike të vendit, në mënyrë që të përmbushen obligimet e marra lidhur me këto fonde.”

Hoti theksoj “IPA është instrument politik i cili u mundëson vendeve të Ballkanit Perëndimor të ngjajnë më shumë me BE – në andaj edhe u duhet publicitet dhe llogaridhënie më e madhe për efektin e këtyre fondeve. Po ashtu Fondet IPA duhet gjithmonë të jenë të kushtëzuara me reforma dhe me bashkëfinancim në veçanti, pasi kjo e fundit e rrit pronësinë e qeverisë mbi reforma dhe procese, duke bërë kështu që reformat të mos shihen si obligim karshi BE – së por si të nevojshme për vendin.”

Po ashtu Hoti paraqiti edhe shqetësimin e Grupit Parlamentar të LDK – së lidhur me vonesat e konsiderueshme që po bëhen në shpenzimin e Fondeve IPA, duke theksuar se vonesat e tilla po bëjnë që disa nga reformat të humbasin momentumin si dhe interesimin e qytetarëve.