Arbëri

Universiteti i Prishtinës kërkon rikthimin e pronës së uzurpuar nga kisha serbe

Descriptive Text

Rektorati i UP-së, përmes një sqarimi, ka mohuar sot të ketë hequr dorë nga prona e tij, e uzurpuar nga Kisha Ortodokse Serbe në vitet e pushtetit arbitrar e represiv të Millosheviqit në Kosovë.

Në sqarim theksohet:

Me anë të kësaj komunikate, menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” e sheh të domosdoshme që të sqarojë për opinionin publik vërtetësinë e kontestit me Kishën Ortodokse e cila gjendet në Kampusin e UP-së, ngjarje e aktualizuar në media pas vendimit Gjykatës së Apelit me datë 27 shtator 2017, me të cilin ka hedhur poshtë ankesën e UP-së për kthim në gjendjen e mëparshme të lëndës rreth pronës së uzurpuar nga Kisha Ortodokse.

Universiteti i Prishtinës në vitin 2012 ka ngritur padi për kthim të kësaj prone në shfrytëzim të Universitetit dhe studentëve të tij, për çka edhe ka qenë e dedikuar fillimisht. Mirëpo, në seancën përgatitore përfaqësuesi i UP-së nuk ka mund të marrë pjesë për shkak se (ashtu siç jemi deklaruar edhe për media në të gjitha qëndrimet me komunikata dhe në konferencën e thirrur) kur është pranuar ftesa përmes postës, në Rektorat gjatë atyre ditëve kishte protesta dhe si rrjedhojë ftesa ka ngelë pa iu përcjellë me kohë zyrës ligjore. Gjykata themelore me 26.11.2015 (i bashkangjitur dokumenti) ka nxjerrë aktvendim duke konsideruar si të tërhequr padinë e UP-së. Përmes zyrës ligjore, UP menjëherë ka bërë kërkesë (e bashkangjitur kërkesa) që çështja të kthehet në gjendjen e mëparshme, d.m.th. në gjendjen para se të nxjerrët aktvendimi i datës 26.11.2015, mirëpo kjo kërkesë nga e njëjta Gjykatë është hedhur poshtë me aktvendim të dt. 18.1.2016 (i bashkangjitur dokumenti). Njëjtë si Gjykata Themelore ka vepruar edhe Gjykata e Apelit, e cila në seancën e dt. 27.9.2017 (i bashkangjitur dokumenti) ka nxjerrë Aktvendim duke refuzuar si të pabazuar ankesën e përfaqësuesit të UP-së.

Lidhur me këtë, vlen të sqarohet për opinionin që menaxhmenti aktual i Universitetit të Prishtinës nuk ka qenë në drejtim të këtij institucioni në periudhën kur është marrë ky vendim, respektivisht me datë 26/11/2015. meanxhmenti aktual i UP-së ka ardhur në krye të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” me datë 1 prill 2016 (gjeni bashkangjitur vendimin).

Përkundër kësaj, theksojmë që ky menaxhment është fuqishëm i vendosur që të rikthejë në duart e këtij institucioni, gjegjësisht të studentëve dhe profesorëve të tij, atë që është e tyre. Si rrjedhojë, ne garantojmë që do të ndiqen rrugët ligjore të cilat do të mundësojnë rikthimin në pronësi të Universitetit të Prishtinës pronën e tij, që në rrethanat e lartpërmendura ka kaluar në pronësi të Kishës Ortodokse e cila gjendet në Kampusin e UP-së.

Menaxhmenti i UP-së nuk ka hequr dorë nga prona e tij, përkundër përpjekjeve të shumta të disa personave apo grupeve të interesit që ta paraqesin si të tillë menaxhmentin aktual. Rrjedhimisht, edhe Këshilli Drejtues i Universitetit te Prishtinës në mbledhjen e fundit ka formuar një Grup të Veçantë Punues i ngarkuar me detyrë që duke siguruar mbështetjen e institucioneve, ta ndjekë këtë çështje në rrugë ligjore deri në kthimin përfundimtar të kësaj prone në shfrytëzim të studentëve të tij.

{gallery}