Arbëri

Krejt çka ndodhi sot rreth shpalljes fajtorë të katër aktivistëve të VV-së

Me qetësi e shumë masa të sigurisë nisi seanca për 4 aktivistët e Vetëvendosjes, që akuzoheshin për terrorizëm që ka të bëjë me sulmin në Kuvendin e Kosovës.

Qetësi pati edhe kur u shpallën fajtorë, por kur gjyqtari nisi të lexojë dënimet e larta për ta, filluan reagime nga familjarët. 

Nga salla u largua edhe deputetja e Kuvendit, Donika Kadaj.

Pos dënimit prej 6 vjetësh të Atdhe Arifit, trupi gjykues me 5 vjet e 5 muaj e dënoi Egzon Halitin, Adea Batushën me 2 vjet e Frashër Krasniqin me 8 vjet burgim, dënimin më të lartë. 

Këta dy të fundit u tha se dërguan e-mailin me emrin “Rugovasit” duke marrë përsipër sulmin, megjithëkëtë, Frashër Krasniqi për veprimin e njëjtë u dënua me 6 vjet më shumë se Adea Batusha.

Kodi Penal nuk parasheh dënim më të ulët se 5 vjet për veprën penale të terrorizmit. 

Bazuar në aktgjykimin e lexuar nga kryetari i trupit gjykues, Atdhe Arifi kishte kontaktuar me blerësin e motoçikletës e pastaj ai bashkë me Egzon Halitin dhe të ndjerin Astrit Dehari, kishin shkuar për ta blerë atë. 

Që të tre sipas gjykatës, bashkërisht, kanë kryer pastaj sulmin më 4 gusht 2016. 

Publiku, shumica prej tyre familjarë e aktivistë të Vetëvendosjes, me ironi i kërkuan trupit gjykues ta dënojë edhe Astrit Deharin, që vdiq në Qendër të Paraburgimit në Prizren.

Në drejtim të trupit gjykues u gjuajt me ato që u dukën si monedha.

Familjarët e miqtë e të dënuarve nuk pranonin që të lëshonin sallën edhe pas shpalljes së aktgjykimit, për çka edhe pati përleshje mes tyre dhe policisë.

Familjarët kanë thënë se më shumë se për fëmijët e tyre të dënuar, u vjen keq për gjendjen në të cilën është katandisur Kosova. 

Mbrojtja ka paralajmëruar ankesë në Gjykatë të Apelit. 

Prokurori i rastit, Abdurrahim Islami nuk ka qenë fare prezent në seancë.