Arbëri

Anëtarët e Këshillit Prokurorial me vizitë zyrtare në SHBA

Anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, në mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, kanë filluar një vizitë pune në Washington DC dhe New York, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Delegacioni i anëtarëve të Këshillit Prokurorial i udhëhequr nga kryesuesi, Blerim Isufaj, kanë zhvilluar takime në Zyrën e Përgjegjësisë Profesionale, Sektorin e Integritetit Publik, Byron e Statistikave të Drejtësisë, Zyrën e Politikave dhe Legjislacionit si dhe Gjykatën e Lartë në Washington DC, transmeton Koha.net.

Gjatë këtyre takimeve janë shkëmbyer përvoja të rëndësishme të cilat pritet të kenë ndikim pozitiv në efektivitetin dhe efikasitetin e punës së Këshillit dhe sistemit prokurorial në përgjithësi. Gjithashtu, është premtuar bashkëpunim dhe mbështetje e vazhdueshme për punën e sistemit prokurorial të Kosovës, edhe në të ardhmen.

Ditëve në vijim, programi i vizitës do të vazhdojë në New York, ku do të ketë takime në FBI, për çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin publik, konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë si dhe çështjet e terrorizmit.