Haradinaj: Synojmë që deri më 2020 të anëtarësohemi në NATO

Haradinaj: Synojmë që deri më 2020 të anëtarësohemi në NATO

14 nëntor 2017 10:07

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës në partneritet me Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, po mbajnë konferencën rajonale të sigurisë “NATO dhe Ballkani Perëndimor".

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe kryeministri Ramush Haradinaj, me këtë rast folën për synimet që ka Kosova.

“Ne synojmë të bëhemi pjesë e Aleancës Veriatlantike. Ne besojmë në FSK. E falënderojmë NATO-n për bashkëpunimin. Presim shumë shpejt që të bëhet transformimi i FSK-së në ushtri. Nuk do të ketë befasi por do ta bëjmë shumë shpejt në ditët në vijim. Kosova është krenare për identitetin e vet”, tha Veseli, raporton KTV.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se respekti në Ballkan është i nevojshëm, madje se Kosova meriton të anëtarësohet në NATO.

“Sfidat që ne i veçojmë janë ekstremizmi global, ndikimi i Rusisë në Ballkan dhe kërcënimet kibernetike. Respekti në Ballkan është i nevojshëm. Ne duam dhe meritojmë të anëtarësohemi në NATO. Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet. Synojmë që deri 2020 të arrijmë anëtarësimin në NATO. Themelimi i FSK-së e ndihmon këtë proces dhe ofron siguri për të gjithë qytetarët”, tha ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme