Policia sekuestron dokumentacion në Arkivin e Shtetit për rastin “Lumezi” Foto: Koha / ilustrim

Policia sekuestron dokumentacion në Arkivin e Shtetit për rastin “Lumezi”

13 nëntor 2017 19:14

Ekipit të Kohavisionit dhe “Betimit për Drejtësi” vetëm pas tri javësh i është lejuar qasja në Arkivin e Shtetit.

Qasja ishte aprovuar për të hënën, ndërsa një gjë e tillë ishte paralajmëruar edhe në emisionin Interaktiv, raporton KTV.

Por, para se ekipi të vazhdojë hulumtimin rreth dyshimeve për dosjen e manipuluar të provimit të jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në Arkiv kanë ardhur hetuesit e Policisë nën udhëheqjen e Avni Namanit dhe kanë sekuestruar disa nga materialet e arkivit.

Sidoqoftë, Arkivi i shtetit ka mbajtur disa kopje të disa materialeve të sekuestruara.

Arkivi ka mbajtur një kopje të librit që ka marrë policia me nr. 23, e ku shkruan: Librat e Provimeve për gjyqtarët e Kundërvajtjes. Në të figuron emri i Zimer Krasniqit me vendlindje Prishtinën.

Në librin e fletëparaqitjeve së Judikaturës, aty ku emri i Zymer Krasniqit nga Deçani është mbuluar me atë të Aleksandër Lumezit, është numri rendor 217, anash shkruan 02 , 17 / 10, numri i njëjtë është edhe në dosjen e provimit, ku po ashtu emri i Aleksandër Lumezit është mbi emrin e Zymer Krasniqit.

Një dosje tjetër të Zymer Krasniqit, ekipi nuk ka mundur ta gjejë as te provimet e kundërvajtjes e as të jurisprudencës, e as në atë të për dhënien e provimeve profesionale.

Një dokument tjetër është i shënuar me makinë shkrimi, e në të cilin vërehen qartë ndërhyrje me llak. Edhe pse është vetëm kopje, aty janë të shënuar emrat e personave që kanë paraqitur provimin për kundërvajtje më 25 dhjetor 1990, e kanë hyrë në provim më 4 janar 1991.

Në numrin rendor 34 është emri i Zimer Krasniqit, aty ku janë renditur ata që e kanë dhënë provimin.

Sidoqoftë, kryeprokurori ka vazhduar të heshtë karshi gjitha të gjeturave të hulumtimit, derisa ka anuluar edhe një vizitë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e paraparë për 11 nëntor.

Ambasada Amerikane ka deklaruar se përgjigja për anulimin e vizitës duhet kërkuar te kryeprokurori, e i ky i fundi nuk u është përgjigjur pyetjeve të dërguara përmes postës elektronike.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme