Arbëri

Faktet për manipulimin e “Dosjes së Lumezit”

Descriptive Text

Për rreth një muaj hulumtim, ekipi i Kohavisionit dhe “Betimi për drejtësi” kanë hulumtuar e gjetur me dhjetëra dokumente që flasin për manipulimin e Dosjes së provimit të Jurisprudencës së Aleksandër Lumezit, kryeprokuror i shtetit.

Zymer Krasniqi nga Deçani është emri mbi të cilin është shënuar emri i Lumezit në këtë libër, numri i të cilit përputhet edhe me dosjen e provimit të Lumezit nga prilli i vitit 1991.

Në këto tri dokumente, emri i Lumezit është shënuar në tri forma të ndryshme.

Në dosje është me alfabet latin, në librin e paraqitjes së provimit mbiemri Lumezi është Llumezi, sipas alfabetit cirilik, derisa në librin amzë mbiemri është Ljumezi.

Një detaj tjetër është ai se vetëm te emri i kryeprokurorit mungon vendlindja, derisa prapa ngjyrës së bardhë vërehet qartë emri i qytetit “Deçan”, që është i shkruar në cirilikë.

Nën efektin e dritës vërehet edhe emri Zymer Krasniqi.

Në Arkivin e Shtetit nuk kanë asnjë procesverbal se si arritën ata libra aty dhe se cila është arsyeja që vetëm librat mbi dhënien e provimit të Jurisprudencës nuk janë origjinalë, por janë kopje.

Origjinali i këtij libri u gjet në Ministrinë e Drejtësisë, ku kanë vazhduar të regjistroheshin personat që kanë dhënë provimin e jurisprudencës deri më 2011-ën.

Librat në Arkivin e Shtetit u tha se janë sjellë gjatë periudhës së pasluftës në vitin 1999-2000 dhe deri në vitin 2004 nuk është marrë askush me ta.

Pas prezantimit të faktit se nën emrin e Lumezit ndodhet emri i Zymer Krasniqit, Lumezi ka prezantuar certifikatën e provimit të Jurisprudencës, ku shkruan se atë e ka dhënë më 25 prill 1991.

Por në dosjen e tij, e cila qëndron në arkiv, figuron se Lumezi, një ditë pas datës së shënuar në certifikatë, saktësisht më 26 prill 1991, i është nënshtruar provimit me gojë, pasi që më 24 i ishte rinënshtruar provimit me shkrim.

Certifikata mban numrin e protokollit 02 nr.152-1-217/90. Ky numër protokolli është i njëjti edhe në dosjen në arkiv edhe në librin amzë, ku nën emrin e Lumezit gjendet emri i Zymer Krasniqit.

Për të dëshmuar vërtetësinë e certifikatës së tij, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka siguruar një vërtetim nga ish-Sekretari Krahinor i Administratës dhe Judikaturës, Gjorgje Aksiq, i cili ishte emëruar në këtë pozitë gjatë kohës së masave të dhunshme, pas dëbimit të punëtorëve shqiptarë.

Përmes këtij dokumenti të vërtetuar nga noteri në Beograd të Serbisë, Aksiq deklaron se nënshkrimi në certifikatën e Lumezit është i tij, me ç’gjë dëshmon autenticitetin e nënshkrimit, i cili nuk u kontestua në asnjë çast.

Vërtetimi thotë: Me kërkesë të Lumezi Aleksandër nga Prishtina, me përgjegjësinë e plotë, e jap këtë

Deklaratë: Certifikatën për dhënien e provimit të judikaturës 02 nr.152-1-1217/90 të datës 06.05.1991, e cila më është dhënë në shikim, në të cilën shkruan se Aleksandër Lumezi nga Prishtina, më dt. 25.04.1991, e ka dhënë provimin e judikaturës, e kam nënshkruar unë.

Më tutje, në këtë vërtetim shkruan se “Sipas raportit të Komisionit për dhënien e provimit të judikaturës, Sekretari Krahinor për judikaturë ka qenë i autorizuar për t’i nënshkruar certifikatat për provimet e judikaturës”.

Gjatë hulumtimit, është gjetur edhe Dosja Personale e Zymer Krasniqit, me të cilën vërtetohet se ai ka kryer punën praktike në ish-gjykatën Komunale të Deçanit tash dega e Gjykatës Themelore në Pejë. Në këtë dosje është e faktuar çdo gjë për Zymer Krasniqin apo siç njihet tani Zymer Tahirin. Në mesin e dokumenteve është ky vërtetim që mban datën 12.10.1990, i cili i ishte lëshuar për të paraqitur provimin e Judikaturës. Aty shkruhet se vërtitmi shërben për paraqitjen e provimit për Gjyqtar të Kundërvajtjes pranë Sekretariatit të Judikaturës dhe Administratës në Prishtinë. Dhe kjo është 5 ditë pasi ai kishte paraqitur provimin e jurisprudencës.

Më 17 tetor të 1990, Zymer Krasniqi ishte regjistruar në librin për paraqitjen e provimit të Jurisprudencës, porse emri i tij ishte mbuluar me atë të Aleksandër Lumezit.

Numri i protokollit i këtij libri, ku emri i Zymer Krasniqit është mbuluar me atë të Lumezit, është i njëjtë që gjendet në certifikatën e Lumezit. Në dosjen e Aleksandër Lumezit për periudhën 1989-1991 që fizikisht gjendet në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, faktohet çdo gjë për punën praktike të kryer nga kryeprokurori aktual i shtetit, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, me përjashtim të vërtetimit për paraqitjen e provimit të Jurisprudencës.

Te kjo dosje është vetëm vërtetimi kur ai e kishte përfunduar vitin e parë të praktikës, e që mban datën 31 tetor 1990, apo 14 ditë pas datës së shënuar në librin e paraqitjes së provimit të jurisprudencës.

Sipas ligjit për Provimin e Jufikaturës të viti 1974, që ishte në fuqi atë kohë, Lumezi ligjërish nuk i kishte plotësuar kushtet për të paraqitur provimin me datën 17 tetor 1990, pasi nuk e kishte pasur vitin e plotë të praktikës në gjyqësi, që kishte qenë kusht ligjor për hyrë në këtë provim.

Dëshmitarët e gjallë ...

Më 31 tetor 2017, Zymer Tahiri, është marrë në pyetje nga Policia. Ai erdhi nga Starnbergu i Gjermanisë për të dëshmuar se e kishte përfunduar praktikën në Gjykatën e Deçanit.

Kishte paraqitur provimin në tetorin e 90-s, i ishte nënshtruar atij në shkurt, madje tha se kishte hyrë edhe në provimin me gojë.

“Unë e kam kry praktikën, e kam marrë certifikatën dhe e kam paraqit provimin e jurisprudencës. Kam hy në provim me shkrim e me gojë, e krejt i kam kry procedurat. Po i kam ba do vjet dhe nuk e kujtoj bash saktë se diçka më ka pas ardhë mas një kohë në shpi edhe pse kemi pas probleme me postë. Po e maj në mend që më ka pas ardhë diçka, po çka e qysh, nuk e kujtoj dhe nuk e posedoj asnjë dokument, sepse kam ika për n’Gjermani”, ka rrëfyer Zymer Krasniqi.

Ish-sekretari i Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, Sahit Shala, i cili për 11 vjet punoi me Komisionin e Jurisprudencës, thotë se asnjëherë nuk ka bërë përmirësime të tilla, siç shihen në dosjen e Lumezit, sepse një gjë e tillë, sipas tij, ka qenë e ndaluar me ligj.

Një tjetër detaj që ai thotë ta ketë vërejtur është fakti se nënshkrimi i Sekretarit Krahinor për Jurisprudencën, Gjorgje Aksiq, nuk është vetëm në certifikatën e Judikaturës së kryeprokurorit Lumezi, por edhe në dosjen e Lumezit si pjesë e Komisionit, gjë që , sipas tij, nuk ka qenë e mundur.

Shala tutje ka sqaruar se procedurat ia ndalonin kandidatit që ka rënë në lëndët Penale e Civile të hynin në provimin me gojë.

Në shtatorin e vitit 1999, ish-kryeadministratori i Kosovës, Bernard Kushner, krijoi Komisionin Këshillëdhënës Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës, në përbërje të të cilit ishin 11 persona, 7 vendorë dhe 4 ndërkombëtarë.

Misioni i këtij komisioni ishte themelimi i Sistemit Prokurorial dhe Gjyqësor në Kosovë. Riza Smaka, kryesues i tij, dhe anëtarët Adil Fetahu, Shaban Kajtazi, Tadej Rodiqi, Rexhep Murati, Ragip Halili dhe Bajram Krasniqi nisën punën e gjetjes së njerëzve adekuatë në 7 regjione të Kosovës.

Kryetari i këtij Komisioni, Riza Smaka, deklaroi se konkurrent për prokuror në grupin e parë ishte edhe Aleksandër Lumezi.

Lumezi u refuzua pikërisht për provimin e jurisprudencës, jo që u dyshua për vërtetësi, por meqë vet kishte deklaruar se nuk e kishte të dhënë atë.

Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga anëtari tjetër i këtij këshilli, Adil Fetahu, i cili kishte qenë përgjegjës për regjionin e Prishtinës.

Fetahu, i cili ka mbajtur edhe procesverbal për punën që ka bërë këshilli, deklaroi se Aleksandër Lumezi, nuk e ka pasur e as që ka deklaruar në 99-n se ka provim të jurisprudencës.

Deklaratën e tij e mbështeti në këtë procesverbal.

Në raundin e dytë të emërimit të gjyqtarëve, në konkursin e shpallur në shkurt të 2000, për pozitën e gjyqtarit dhe prokurorit me qëllimin e krijimit të sistemit gjyqësor e prokurorial, Lumezi kishte aplikuar për Gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prishtinë, dhe ishte i 45-ti në listë.

Bazuar në dokumentacionin që kishte paraqitur ai vetë, thuhet se kishte të kryer Fakultetin Juridik në vitin 88, nga 94 deri në 97 ishte bashkëpunëtorë profesional në avokaturën e të atit, Nikë Lumezi, term ky që përdoret për juristët e diplomuar pa provim judikature, derisa në 98-n për 3 muaj kishte qenë hulumtues në Fondin për të Drejtën Humanitare.

Dëshmitë u mbështeten edhe nga dy anëtarë të tjerë: Ragip Halili, i cili ka mbështetur deklaratat e kolegëve duke konfirmuar po ashtu, se pjesë e sistemit prokurorial dhe gjyqësor ishin bërë edhe persona që nuk e kishin fare provimin e jurisprudencës.

Të njëjtën gjë e tha edhe Bajram Krasniqi.

Hetimet dhe mbështetjet

Hetimet për dyshimet e falsifikimit të dosjes së provimit të jurisprudencës zhvillohen nga prokurori Kujtim Munishi, vartës i Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, i cili për një kohë të shkurtër ka arritur të punojë në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të bëhet shef i Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Kujtimi Munishi, vetëm dy vjet e gjysmë pasi ishte bërë pjesë e sistemit Prokurorial të Kosovës, ka arritur të transferohet nga zyra e prokurorit të Gjilanit, në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Ky i fundit, përmes vendimit të nënshkruar më 28 prill të 2015, kishte deleguar te Kujtim Munishi, kompetenca të zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Sipas vendimit, përveç kompetencave që Munishi do t’i kishte si prokuror i Gjilanit, ai do të ushtronte edhe funksione të tjera që hyjnë në kuadër të zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, duke përfshirë: hartimin e raporteve dhe dokumenteve të tjera me shkrim.

Prokurori Munishi kishte kryer detyra dhe përgjegjësi tjera drejtpërdrejtë nën mbikëqyrjen e Kryeprokurorit Lumezi. Munishi po e heton rastin, nën monitorim të përfaqësuesve të EULEX-it. Ambasadat e huaja nuk janë përfshirë në monitorim të këtij rasti.

Munishi është gjithashtu prokuror i rastit, në të cilin Kryeprokurorit Lumezi, i ishte vjedhur telefoni në shtëpinë e tij.

Kohavision ende nuk ka arritur të marrë një konfirmim zyrtar se përse Prokuroria Themelore konkretisht Departamenti për Krimet të Renda është duke hetuar rastin, pavarësisht kërkesave të shumta që janë drejtuar institucioneve për këtë çështje.

Kjo pasi bazuar në një udhëzimin Administrativ të vitit 2013, që gjendet në ueb faqen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili mban firmën e kryeprokurorit të atëhershëm të Shtetit, kryeprokurores së Eulexit dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Ky udhëzim qartëson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për hetimin e kryeprokurorit të shtetit.

Pika, 2 e këtij neni thotë se kur subjekti i dyshuar për kryerjen e një vepre është kryeprokurori kjo bije në përgjegjësin e plotë të hetimit nga ana e Prokurorisë Speciale.

Nga kjo i bije se hetimet nuk kanë subjekt të hetimi kryeprokurorin e shtetit.

Sidoqoftë edhe sipas Ligjit për Prokurorin Speciale të Republikës së Kosovës në neni 9 ku flitet për Kompetenca plotësuese e kësaj prokurorie, thuhet se PSRK-ja do të ketë kompetencë plotësuese, sipas modaliteteve të përcaktuara në nenin 10 të këtij ligji, për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet, edhe të atyre në formë të tentimit, dhe format e ndryshme të bashkëpunimin në krim.

Ndërkaq paragrafi z. saktëson se edhe përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës (neni 340, KPPK), mashtrimi në detyrë (neni 341, KPPK).

Gjatë hulumtimit, me gjithë kërkesat e shumta, zyrtarët e Prokurorisë së Shtetit nuk kanë kthyer asnjëherë përgjigje se përse Prokuroria Themelore, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda është duke hetuar rastin e dosjes së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Bazuar në Udhëzimin Administrativ të vitit 2013, i cili gjendet në ueb faqen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, e që mban firmën e kryeprokurorit të atëhershëm të Shtetit, Ismet Kabashi, kryeprokurores së Eulexit , Jaroslava Novotna dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale Jonathan Rather, përcakton se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për hetimin e rasteve të profilit të lartë, ku përfshihet edhe pozita e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kjo dëshmon se hetimet e zhvilluara për dosjen e Kryeprokurorit Lumezi janë zhvilluar nga një Prokurori, e cila nuk ka kompetenca ta hetojë Kryeprokurorin dhe rrjedhimisht në këto hetime Kryeprokurori Lumezi nuk ka qenë asnjëherë subjekt i hetimit, por kanë qenë persona të tjerë.

Sidoqoftë edhe sipas Ligjit për Prokurorin Speciale të Republikës së Kosovës në neni 9, ku flitet për Kompetencat plotësuese të kësaj prokurorie, thuhet se PSRK-ja ka fuqi për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet, edhe të atyre në formë tentative si dhe format e ndryshme të bashkëpunimin në krim. Paragrafi (z) i këtij neni përcakton edhe hetimet për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës (neni 340, KPPK) si dhe mashtrimin në detyrë (neni 341, KPPK).

Nga ana tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka paragjykuar në tërësi çdo dyshim të ngritur rreth dosjes së falsifikuar të provimit të jurisprudencës së Aleksandër Lumezit.

Sipas Këshillit, Lumezi ka kaluar të gjitha filtrat e emërimit dhe poashtu të verifikimit në vitin 2009-2010 nga Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial.

Faktet e prezantuara Këshilli i ka vlerësuar si përpjekje për të dëmtuar imazhin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe të sistemit prokurorial, prandaj kanë kërkuar nga ata të cilët i kanë ngritur këto dyshime, që të njëjtat t’i tërheqin publikisht.

Në mbështetje të Lumezit doli edhe Shoqata e Prokurorëve të Kosovës e cila ka vlerësuar hulumtimet si tendencë për të zbehur dhe zmbrapsur punën e Prokurorëve të Shtetit, duke i quajtur hulumtime të përgatitura dhe të fabrikuara.

Shoqata ka kërkuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare t’i dalin në mbrojtje Prokurorit të Shtetit, duke i ofruar mbështetje të plotë Kryeprokurorit të Shtetit, në punën e tij të suksesshme.

E në anën tjetër vetëm një ditë pasi publikimit të lajmit, se dosja e Lumezit mund të jetë e manipuluar, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka propozuar Aleksandër Lumezin për Kryetar të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

Ai u detyra ta tërhiqte nga Komisioni vendimin e tij, përderisa ka deklaruar se hetimet për rastin do të përfundojnë për një kohë të shkurtër, edhe pse ato janë jashtë kompetencave të tij.