“Misteri mbi Konsullatën e Nderit e Kosovës në Benin”

“Misteri mbi Konsullatën e Nderit e Kosovës në Benin”

10 nëntor 2017 21:23

Ish-gazetari Armend Bekaj, që aktualisht punon me një organizatë ndërkombëtare në Benin, është befasuar me konsullatën e Kosovës në këtë shtet. E ka shkruar një artikull, të cilin e ka titulluar “misteri mbi konsullatën e nderit e Kosovës në Benin”.

Atje, sipas Bekajt, ambasada kanë vetëm 4 shtete të BE-së.

“Kurrë nuk do të kisha menduar se rastësisht do të hasja në Konsullatën e Nderit e Kosovës midis Cotonou-së, kryeqytetit administrativ të Beninit në Afrikën Perëndimore! Konsullata gjendet në një shtëpi gjigante, mu përballë Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë, në rrugën më të shtrenjtë të qendrës së Cotonou-së, më thonë (qiraja duhet të jetë rreth 2000 EUR, shumë astronomike kjo për rrethanat e këtij shteti)”, ka shkruar Bekaj.

Ai ka thënë se nga e gjithë BE-ja, në Cotonou gjenden vetëm nja 4-5 ambasada: ajo e Francës (trashëgimia e kolonisë), e Belgjikës (frëngjishtja), Gjermania e Holanda (interesa biznesore).

“Perandoria amerikane është këtu gjithashtu. Janë edhe disa konsullata. Dhe pastaj është ajo e Kosovës!”, ka thënë Bekaj, derisa shtron një mori pyetjesh. “E kuptoj, është Konsullatë Nderi, por sidoqoftë, çka është puna e saj? Kush punon në të? Çfarë interesash përfaqëson ajo? Të Kosovës? Çfarë interesa të Kosovës saktësisht? Kush paguan për të? Cilat janë rezultatet e punës së saj deri më tash?”.

Bekaj, tregon se kur kishte parë ishte ndalur te kjo Konsullatë. Madje kishte hyrë edhe brenda.

“Si gazetar hulumtues në biologjinë time, shkova për të investiguar. Dera ishte hapur. Hyra brenda. Në dhomën hyrëse me doli përpara një grua e re, benineze, që si duket punon si sekretareshë aty. Kërkova të takohem me Konsullin. Përgjigjet e saj, pak nga anglishtja e çalë, pak nga droja e pranisë sime të beftë, ishin të mangëta dhe të turbullta. Por mora vesh që Konsulli nuk ishte aty. Me tha të vij nesër. Kur ia kujtova se nesër është e shtunë, më tha të kthehem pas gjysmë ore. Ne rregull, thash, dhe dola. Prita jashtë në rrugë. U ktheva në 12:00, ashtu siç u morëm vesh. Sekretaresha më përshëndeti dhe me ftoi të ulem. Pas pak nga një dhome tjetër doli një grua tjetër e re, po ashtu benineze, e cila qartazi veç sa ishte zgjuar nga siesta e mesditës. Asistente administrative, ndoshta. Droja dhe pasiguria e njëjtë nga pyetjet e mia. Por në fund, pasi e sigurova se jam nga Kosova dhe se u befasova këndshëm(!) kur e pash këtë Konsullatë, ajo e mori veten. Me tha se Konsullata ka pesë vjet që është hapur. Konsull i saj është një Z. Olivier, gjithashtu nga Benini. ‘Besoj se në dy-tre muajt e ardhshëm do të fillojmë me lëshimin e vizave’, më tha. Nuk di sa është e vërtetë kjo. Me tha se Konsulli vjen shpesh në Kosovë. Supozoj se ai takohet me dikë nga politika atje”, ka rrëfyer Bekaj, përcjell Koha.net. “E pyeta se çka saktësisht bën Konsullata, me çfarë punësh merret Konsulli. Në këtë pikë ajo u ndal dhe më tha që për më shumë informata mund të flas me Konsullin të hënën. E falënderova dhe dola”, ka shtuar më tej ai.

Vetë Bekaj ka thënë tutje se i zgjon kureshtje të vërtetë kjo Konsullatë.

“Kush është z. Olivier?! Besoj se jo veç në Benin, por në krejt Afrikën Perëndimore nuk jetojnë më shumë se një duzinë kosovarësh. Po ashtu, me sa kuptoj nga protokolli diplomatik, një Konsullate (e mirëfilltë apo e Nderit) nuk mund të hapet pa aprovimin e shtetit nikoqir, si dhe pa pëlqimin e përkrahjen (financiare apo politike) të shtetit që ajo përfaqëson. Gjë që ngre dilemat e mia të simëlarta. Në faqen e MPJ-së së Kosovës nuk ka informata për të. Nuk po them se kjo Konsullatë nuk kryen pune valide e legjitime. Por, një gjë është e qartë, këtu kërkohet transparencë dhe llogaridhënie. Shpresoj se MPJ e di saktësisht se me çka merret ajo. Se në fund të fundit, behet fjalë për emrin e kësaj krijese ende të brishtë që është shteti ynë. Shteti obligohet t'u japë përgjigje njerëzve të vet”, ka thënë Bekaj, teksa pret që kjo çështje të hulumtohet më në detaje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme