PDK-ja i quan të papranueshme, por s’distancohet nga kërcënimet ndaj Veton Surroit

10 nëntor 2017 19:29

Vojisllav Sheshel po fliste se si duhet vrarë me lugë të ndryshkur kroatët e kundërshtarët e tjerë të Serbisë. Në këtë frymë, një person, kërcënoi ditë më parë themeluesin e Grupit KOHA, Veton Surroi.

Kjo për shkak të kolumnës së tij “Një pension për Haxhi Zekën”, që pasoi pas një statusi të tij në Facebook ku kishte ironizuar rreth diskutimeve se stadiumi kombëtar do të ndërtohet në Drenas e jo në Prishtinë.

Isi Osmani, siç është emri i tij në Facebook, është simpatizant i PDK-së. Në profilin e tij ka fotografi me zyrtarë të ndryshëm të kësaj partie, përfshirë kryetarin Kadri Veseli.

Megjithëkëtë, zyrtarë të PDK-së thonë se nuk mund të vërtetohet se ai i takon kësaj partie.

Sekretari i PDK-së, Basri Musmurati thotë se megjithatë kjo gjuhë është e papranueshme dhe të dëmshme për diskursin publik.

Osmani, sipas këtyre fotografive duket të jetë shtetas gjerman. Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka thënë se kjo është çështje e Policisë e organeve të drejtësisë.


Në Polici kanë thënë se ata marrin parasysh të gjitha ankesat.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha informacionet/rastet i trajton konform autorizimeve ligjore që ka, dhe të gjitha veprimet e saja i ndërmerr në konsultim dhe koordinim me prokurorinë kompetente. Njëkohësisht, Policia e Kosovës fton të gjithë qytetarët që për çfarëdo problemi apo rasti që kanë të raportojnë në polici, për trajtim dhe procedim të mëtejmë sipas procedurave të parapara ligjore”.

Publicisti Veton Surroi është kërcënuar e linçuar edhe më parë. Më 2015, Prokuroria madje kishte nisur hetime, të cilat nuk kanë lëvizur kurrë tutje.

Në përgjigjen e saj për këtë rast, Prokuroria ka thënë se “menjëherë pas pranimit të kërkesës nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, Prokurorja e rastit, Bukurije Gjonbalaj, në atë kohë prokurore në departamentin e përgjithshëm, ka bërë kërkesë te Policia e Kosovës, konkretisht te Njësiti për Krime Kibernetike, për grumbullimin e informatave si dhe zbulimin e identitetit të personit i cili ka kërcënuar publicistin, Veton Surroi, në drejtim të veprës penale të kanosjes dhe nxitje të urrejtjes”.

“Për informata më të detajuara lidhur me këtë rast do t’ju njoftojmë gjatë ditës së hënë”, është thënë në këtë përgjigje të Prokurorisë.

Kërcënimet e sulmet ndaj gazetarëve janë shtuar viteve të fundit. Vetëm deri në këtë fazë të vitit në polici janë paraqitur 23 raste të kërcënimeve, sulmeve apo forma të tjera të presionit dhe shantazhit ndaj gazetarëve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme