Arbëri

MMPH me plan për përmirësimin e ajrit vjeshtë-dimër 2017-18

Cilësia e ajrit në Kosovë vazhdon të jetë shqetësues, sidomos në disa qendra, duke tejkaluar edhe normat e lejuara.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor ka hartuar planin e aktiviteteve për përmirësimin e cilësisë së ajrit vjeshtë-dimër 2017-2018.

Plani parasheh arritjen e tri objektivave, përmirësimin e cilësisë së ajrit, rritjen e nivelit të zbatimit të legjislacionit dhe përgjegjësive institucionale, si dhe ngritjen e nivelit të edukimit dhe ndërgjegjësimit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja.

Plani u bë i ditur në tryezën me temën “Cilësia e ajrit në Kosovë, sfidat dhe veprimet”, organizuar nga MMPH.

Me këtë rast, kryeministri Ramush Haradinaj tha se vendit i ka munguar një strategji e mirëfilltë për rritjen e cilësisë së ajrit.

Sipas tij, përdorimi i madh i makinave, mos gjelbërimi i mjaftueshëm, ngrohja me qymyr e shumë faktorëve tjerë ka bërë që cilësia e ajrit në Kosovë të jetë i një cilësie tepër të keqe.

Duke qenë se cilësia e ajrit nëpër qytete është më e madhe, Haradinaj shtoi se sot u marrin lakmi atyre që jetojnë në zona rurale.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, theksoi se cilësia e ajrit dhe ndotja e tij nuk është shqetësim vetëm për Kosovën, por është shqetësim me karakter rajonal e global.

Ajo shtoi se duke parë gjendjen aktuale të cilësisë së ajrit, e me theks të veçantë në pjesën qendrore të Kosovës ku janë regjistruar viteve të fundit tejkalime të normave të lejuara, e kanë vënë si prioritet të ministrisë dhe qeverisë në tërësi.

“Rritja e ndotjes së nivelit të ajrit vjen si pasojë e shkarkimeve të ndotësve në ajër nga industria, transporti, ekonomitë familjare dhe bizneset e vogla gjatë këtij sezoni, duke i shtuar këtu edhe kushtet meteorologjike jo të favorshme. Kjo situatë ka sjell nevojën për trajtimin e veçantë të këtij problemi dhe vendosjen e kësaj çështjeje në prioritet të MMPH-së por edhe të Qeverisë së Kosovës”, tha Reshitaj.

Ndërsa, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, përkujtoi se termocentralet Kosova A dhe B janë ndotësit me të mëdhenj të ajrit aktualisht.

“Energjia me Termocentralin Kosova A dhe Kosova Be, janë ndotësit më të mëdhenj për momentin, por ndërkohë energjia është edhe shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik, pra jemi në një konflikt mes përfaqësimit të zhvillimit ekonomik dhe ndotjes së ambientit. Për fat të keq Kosova rreth 97 për qind të energjisë për momentin e gjeneron me linjit, aty ku rrjedh edhe burimi i ndotjes. Mirëpo, pa marr parasysh kësaj, për fat të mirë, janë duke u ndërmarrë hapa të ndryshëm për t’u rregulluar kjo punë. Kemi disa projekte që janë në këtë pjesë”, theksoi ai.

Ministri Lluka theksoi se si rrjedhojë e kësaj, kanë kryer një studim fizibiliteti dhe kanë filluar procedurat për rehabilitimin e tërësishëm të termocentralit Kosova A.

Ai po ashtu theksoi se tashmë kanë marrë edhe një donacion prej 35 milionë euro për ndryshimin e filtrave të “Kosovës B” që do të ndikojë në përmirësim të gjendjes së ambientit.

Ndërsa, sipas planit, ministri Lluka tha se mbyllja e termocentralit “Kosova A” do të bëhet kur të fillojë punën termocentrali Kosova e Re.