Arbëri

Bulliqi i bindur se Kosova ka humbur territor me marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi

Provat, faktet dhe dëshmitë që Komisioni ka arritur t’i sigurojë, dëshmojnë se ka pasur edhe materiale tjera në favor të Kosovës, e te cilat dëshmojnë se në versionin e nënshkruar të Marrëveshjes me Malin e Zi, nuk janë përfshirë ato fare, dhe të cilat janë domethënëse për procesin e ruajtjes së tërësisë territoriale, kështu ka deklaruar në një intervistë ekskluzive për Kosova.info, prof. Shpejtim Bulliqi, kryetar i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.

“Dëshmitë qe kemi, disa i kemi pasur më herët, disa i kemi siguruar më vonë, për disa tjera që i kemi poseduar , jemi angazhuar që të sigurojmë sqarime dhe marrjen e vulës ndërkombëtare apo institucionale. Një gjë është më se e sigurt, se materiale dhe dëshmi ka në shume burime, por që duhet kohë dhe akces për t’i siguruar ato, dhe shumë prej tyre duhet identifikuar fillimisht e më pastaj hapat tjerë”, ka vlerësuar prof. Bulliqi.

Por sa janë gjasat dhe mundësitë që ky proces të përfundojë në arbitrazh, prof. Bulliqi ka theksuar se nuk e di, sepse, sipas tij, procesi duhet t’i kalojë disa faza për të arritur tek faza e arbitrazhit.

“Duhen dy palë që të pajtohen, që të ketë arbitrazh, dhe duhet të kalohen fazat paraprake”, ka thënë prof. Bulliqi.

KI: Z. Bulliqi, ka disa javë që keni filluar punën në krye të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. Cilat janë faktet, provat, dëshmitë dhe gjetjet gjatë punës suaj në teren?

Shpejtim Bulliqi: Te gjitha pyetjet që po i parashtroni, do te jenë te paraqitura ne raportin që do t’ia dorëzojmë Qeverisë, sapo ta përfundojmë atë.

KI: Provat, faktet dhe dëshmitë që keni gjetur gjatë punës suaj në teren a dëshmojnë se Kosova përfundimisht ka humbur territor me Malin e Zi?

Shpejtim Bulliqi: Provat, faktet dhe dëshmitë qe komisioni ka arritur t’i sigurojë, dëshmojnë se ka pasur edhe materiale tjera në favor të Kosovës, e të cilat dëshmojnë se në versionin e nënshkruar të Marrëveshjes me Malin e Zi nuk janë përfshirë ato fare, dhe të cilat janë domethënëse për procesin e ruajtjes së tërësisë territoriale. Pse, këtë unë nuk e di.

KI: Po ashtu, dëshmitë që pretendoni se keni gjetur në këtë proces, a kanë qenë të panjohura deri më tani për ju?

Shpejtim Bulliqi: Dëshmitë qe kemi, disa i kemi pasur më herët, disa i kemi siguruar më vonë, për disa tjera që i kemi poseduar , jemi angazhuar që të sigurojmë sqarime dhe marrjen e vulës ndërkombëtare apo institucionale. Një gjë është më se e sigurt, se materiale dhe dëshmi ka në shume burime, por që duhet kohë dhe akces për t’i siguruar ato, dhe shumë prej tyre duhet identifikuar fillimisht e më pastaj hapat tjerë.

KI: Kur do të jetë data ose koha e përshtatshme, që Komisioni në fjalë do të bëjë publike të dhënat përfundimtare sa i përket fakteve, dëshmive dhe gjetjeve në teren për shënjimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi?

Shpejtim Bulliqi: Me besoni , sa më shpejtë që të jetë e mundur. Edhe ne jemi të interesuar që të përpilojmë raportin dhe ta dorëzojmë, por bazuar në atë se nuk jemi komision dyanëtaresh, por Komision i plotë, atëherë edhe puna është me e ndërlikuar, sepse zyrtarë të ndryshëm përfaqësojnë institucione të ndryshme, pra sistemi funksionon me ngadalë se sa kur hulumton si individ, apo në grup më të vogël.

KI: Javën e kaluar keni vizituar Republikën e Kroacisë dhe të Sllovenisë, me qëllim të verifikimit të të dhënave faktografike, konsultimeve dhe shkëmbimin e përvojave me zyrtarët relevant të këtyre shteteve. Keni gjetur ndonjë të dhënë faktografike?

Shpejtim Bulliqi: Vizita ne Kroaci dhe Slloveni, pos tjerash, edhe na ka dëshmuar se ka pasur materiale nëpër Ballkan, ku të kërkohet. Kishim mundësinë të takonim edhe zyrtarë kroatë dhe sllovenë, te cilët ishin bashkëpunues ku edhe ndanë me ne një pjesë të përvojës së tyre. Koha ishte e shkurtër për të hulumtuar më shumë, por edhe ato që i hulumtuam janë të vlefshme.

KI: A mund të konsiderohet se ky proces do të jetë një zgjidhje e këtij problem që thelloi hendekun mes pozitës dhe opozitës?

Shpejtim Bulliqi: Tash, unë mund të shprehem më shumë si anëtar i komisionit se sa si politikan, por mendoj se çdo qartësim duke marrë në konsideratë pjesën të cilën qeverisja paraprake thjeshtë e injoroi, ndihmon në qartësimin dhe plotësimin e një procesi të kontestuar për vite.

KI: Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka theksuar se gjatë vizitës së saj në Bruksel ka marrë mesazhe të qarta nga zyrtarët e Bashkimit Evropian, se demarkacioni duhet të ratifikohet brenda dy muajve, pasi që së shpejti do të fillojnë zgjedhjet në Parlamentin Evropian. Sa janë gjasat që kjo të realizohet brenda këtyre muajve?

Shpejtim Bulliqi: Nuk i kam përcjellë të gjitha prononcimet e zyrtarëve të Kosovës, por i kisha lutur që të na japin kohën e duhur. Neve na ka dhanë mandat me detyrë Qeveria e Kosovës, dhe atë jemi duke e bërë. Nuk jam në dijeni për datat e zgjedhjeve në parlamentin evropian, sepse jam duke u marrë me punën që më është caktuar.

KI: Z. Bulliqi, zyrtarë të Malit të Zi kanë deklaruar se ky shtet tashmë e ka ratifikuar këtë marrëveshje dhe se më nuk do t’i kthehet më kësaj teme. Si e komentoni ju këtë çështje?

Shpejtim Bulliqi: Tash nuk jam deputet, por sikur të isha, do të përgjigjesha se shteti mik si Mali i Zi, prononcohet ashtu, sepse i konvenon, por duhen ditur miqtë tanë se një marrëveshje behet fuqiplotë në momentin kur e ratifikojnë të dy parlamentet.

KI: Z. Bulliqi, edhe ambasadorët e vendeve me të fuqishme në botë që veprojnë në Kosovës, e kanë përkrahur versionin e demarkimit mes Kosovës dhe Malit të Zi, të Komisionit të kaluar. Komenti juaj?

Shpejtim Bulliqi: Jemi të vetëdijshëm se edhe organizatat ndërkombëtare edhe ambasadorët e kanë përkrahur, sepse atë e kanë detyrë të përkrahin marrëveshjet e arritura mes shteteve. Ne kemi edhe zyrtarë të lartë të Kosovës, të cilët shprehen ashtu .

KI: Sa janë gjasat dhe mundësit që ky proces të përfundojë në Arbitrazh?

Shpejtim Bulliqi: Nuk e di, sepse procesi duhet t’i kalojë disa faza për të arritur tek faza e arbitrazhit. Duhen dy palë që të pajtohen, që të ketë arbitrazh, dhe duhet të kalohen fazat paraprake.