Arbëri

Aferat e ambasadave ​me blerjen e makinave luksoze

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, së bashku me disa prej ambasadave të Shqipërisë në vendet më të rëndësishme të Evropës, kanë shpërdoruar paratë publike për blerje abuzive dhe të panevojshme të makinave luksoze, shkruan sot Shqiptarja. Ambasadat shqiptare në Paris, Berlin, Lubjanë, Zagreb dhe Prishtinë, me miratimin e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, kanë blerë makina në shkelje të rregullave për kryerjen e procedurave të prokurimit publik. Blerje abuzive të makinave kanë bërë edhe përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë në Stokholm, Varshavë, Bari, Pragë, Misioni në BE, Bukuresht, Sofje, misioni në NATO dhe Bruksel.

Përveç shkeljeve të procedurave, blerja e makinave të reja nuk justifikohet me nevojën e ambasadave, për shkak se shumica prej tyre rezultojnë se kishin blerë automjete pak kohë më parë. Shkeljet reflektohen në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, mbi kontrollin financiar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, tashmë Ministria e për Evropën dhe Punët e Jashtme. KLSH ka konstatuar edhe shkelje të çuditshme, ku një makinë është blerë me çmim më të lartë se sa vlera e ofertës. Abuzimi me makinat është vetëm një nga saga e shkeljeve të konsumuara nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, me pasoja në buxhet.

“Nga Ambasada në Paris fondi limit i miratuar dhe oferta fituese e miratuar është 31,548 euro, kurse vlera e blerjes sipas inventarit është 32,329.64 euro. Vlera e ofertës është tejkaluar me 781.64 euro. Nga Ambasada Lubjanë mungon procesverbali i mbajtur nga komisioni për përzgjedhjen e ofertave për blerjen e automjetit protokollar të ambasadës. Bashkëngjitur është vetëm një ofertë. Nga Ambasada Zagreb mungon procesverbali i mbajtur nga komisioni për përzgjedhjen e ofertave për blerjen e automjetit protokollar të ambasadës. Nga Ambasada Prishtinë mungon procesverbali i mbajtur nga komisioni për përzgjedhjen e ofertave për blerjen e automjetit protokollar të ambasadës”, thuhet në raportin e KLSH.

Shkelja e rëndë

Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë në raport se Ministria e Jashtme, në kundërshtim me ligjin, ka shmangur Ministrinë e Brendshme, për blerjen e automjeteve. “Procedura e blerjes së këtyre automjeteve nuk është kryer e përqendruar nga Ministria e Punëve Brendshme në kundërshtim me VKM nr. 53, dt. 21.01.2009 “Për ngarkimin e Ministrisë së Brendshme për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të kryeministrisë, Ministrive dhe Institucioneve të varësisë për disa mallra e shërbime” i ndryshuar (shfuqizuar me VKM nr. 28, dt. 14.01.2015) pika 1.

Ngarkohet e Ministria e Brendshme, si organ qendror blerës, për kryerjen e procedurave të prokurimit, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të kryeministrit e të ministrive të linjës, për blerjen e mallrave dhe shërbimeve si..... blerje automjetesh, etj...”, thuhet në raportin e KLSH.

Vlera e makinave

Nga verifikimi i inventarëve dhe kontratave të dërguara nga përfaqësitë diplomatike, KLSH ka konstatuar se në inventarin e automjeteve në administrim të përfaqësive, krahas automjeteve të tjera, rezultojnë edhe automjete të blera për vitin 2015. Ambasada në Stokholm ka blerë “Mercedes Benz E 200 BlueTEC SEDAN”, viti 2015, me nr. shasie ËDD2120061B227993 me vlerën e inventarit 25,523 Euro.

Ky automjet është blerë nga vetë ambasada e Stokholmit dhe jo sipas ofertës fituese me koncensionarin “Mercedes Benz” Motoria srl Bari prej 32,400 Euro. Përfaqësia Bari ka blerë dy automjete. Ka blerë “Mercedes Benz, Classe C – Limousine C 200 BlueTEC Automatic C”, viti 2015, me nr. shasie ËDD2050371R075245 me vlerën e inventarit 32,400 Euro, me targa CC0029AA.

“Mercedes Benz, Classe E Berlina E 200 Blue TEC” viti 2015 me nr. shasie ËDD2120061B234966 me vlerën e inventarit 32,400 Euro, me targa CC0030AA. Kontrata dt. 30.04.2015 me koncensionarin “Mercedes Benz” Motoria srl është firmosur nga përfaqësuesi Konsullatës Bari. Blerja për modelin “Mercedes Benz, Ë205 Classe C – Limousine C 200 BlueTEC Automatic”, nuk është në përputhje me specifikimet e ofertës fituese dhe urdhrit e Sekretarit të përgjithshëm nr. 92, dt. 14.04.2015.

Roli i sekretarit të përgjithshëm dhe ministrit

Blerja e makinave nuk do të ishte mundësuar pa rolin e ish-sekretarit të Përgjithshëm të MPJ, z. Qirjako Qirko (aktualisht ambasador në Londër) dhe ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati. Sipas raportit, me urdhër shpenzimin nr. 139, dt. 21.10.2014 është transferuar fondi për llogari të ambasadave në vlerën 21,158,635 lekë. Ky fond është transferuar për ambasadat e mëposhtme në vlerën 150,000 euro. “Ambasada Paris për 30,000 euro, ambasada Berlin për 30,000 euro, ambasada Lubjanë për 30,000 euro, ambasada Zagreb për 30,000 euro, ambasada Prishtinë për 30,000 euro.

Ambasadat e mësipërme, kanë dërguar në Drejtorinë e Programit Buxhetor dhe të Financës, proces verbalet e mbajtura nga komisionet për përzgjedhjen e ofertave për blerjen e automjetit protokollar të ambasadës ku bashkëngjitur janë tre ofertat e marra nga komisionet dhe ajo fituese. Me shkresat përkatëse Sekretari i përgjithshëm z. Qirjako Qirko i është drejtuar ministrit për miratimin e ofertave fituese të propozuar nga Drejtoria e Programimit Buxhetor dhe Financës, të miratuara nga ministri. Nga verifikimi i inventarëve të dërguara nga ambasadat e mësipërme me shkresat përkatëse rezultoi se në inventarin e automjeteve në administrim të përfaqësive krahas automjeteve të tjera rezultojnë, edhe automjetet e blera nga përfaqësitë gjatë vitin 2014, sipas ofertave fituese”, thuhet në raport.

Përfaqësitë që blenë makina

Ambasada Shqiptare në Paris

Ambasada Shqiptare në Berlin

Ambasada Shqiptare në Lubjanë

Ambasada Shqiptare në Zagreb

Ambasada Shqiptare në Prishtinë

Konsullata në Bari

Ambasada Shqiptare në Stokholm

Ambasada Shqiptare në Varshavë

Ambasada Shqiptare në Pragë

Ambasada Shqiptare në Bukuresht

Ambasada Shqiptare në Sofje

Misioni në BE

Misioni në NATO

Misioni në Bruksel

{gallery}