Veteranët marrin nesër pagat retroaktivisht për tre muaj

Veteranët marrin nesër pagat retroaktivisht për tre muaj

09 nëntor 2017 21:20

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të premten do të marrin pagat që nuk i morën për tre muajt e fundit.

Kjo u bë e mundur pas një marrëveshjeje që kryeministri, Ramush Haradinaj arriti me organizatat e Veteranëve të UÇK-së. Kryeministri ka garantuar veteranët e luftës, se me datën 10 nëntor, shuma në vlerë prej tri pagash do të jetë në kontot e veteranëve.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, tha se ka marrë garanci nga kryeministri Ramush Haradinaj, se veteranët, të premten do t’i marrin pensionet e parapara me ligj. Gucati tha se veteranët do të paguhen në mënyrë retroaktive për tre muajt e fundit.

“Në takimin e fundit që kemi pasur mbrëmë me kryeministrin, është zotuar kryeministri që pensionet do të lëshohen ditën e premte, d.m.th nesër. Kështu që ne e pritem shumë mirë vendimin e kryeministrit dhe besoj që në të ardhmen me nuk do të kemi probleme me pensionet e veteranëve. Pensionet do të lëshohen nesër për tre muaj, kështu që 458 euro do të dalin në kontot e veteraneve nesër”, ka thënë ai, përcjell Radio Kosova.

Zyrtarë nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, përmes postes elektronike, njoftuan për Radio Kosovën se janë në pritje të dekretimit të ligjit për rishikimin e buxhetit nga presidenti i Kosovës.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se vitin tjetër, nuk do të ketë probleme të kësaj natyre për pensionet e luftëtarëve të lirisë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme