Asdren Mekaj, i dyshuari për fajde që ndihet i pafajshëm e dorëzohet në prokurori

09 nëntor 2017 19:41

I bindur se është i pafajshëm, Asdren Mekaj nga Peja është dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës në Prishtinë.

Në vitin 2015, ndaj tij Prokuroria Themelore e Prizrenit kishte nisur hetime për kryerjen e veprës penale të fajdesë.

Hetimet ndaj tij dhe disa personave të tjerë për fajde kishin nisur pas dëshmisë që kishte dhënë dëshmitari Pal Gruda, të cilit Asdren Mekaj i kishte shitur vetura në vlerë prej 200 mijë eurosh.

Asdren Mekaj rreth tri vjet kishte jetuar në Amerikë.

Dy muaj më parë, kishte ardhur në Shqipëri. Edhe pse ndaj tij kishte fletë-arrest vendor dhe ndërkombëtar, ai ka hyrë në Kosovë të martën në mbrëmje pa u penguar nga askush.

Asdren Mekaj, që është kushëri i ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, thotë se për këtë rast, më 2015, kishte negociuar vet Sali Mekaj, në katedralen e Prishtinës, me familjen e Pal Grudës, i cili e kishte denoncuar në Polici, pasi policia i kishte vendosur kamerë këtij të fundit.

Për këtë pikë të aktakuzës, Sali Mekaj, të mërkurën, është liruar nga Gjykata e Apelit.

Edhe Asdren Mekaj beson se nga hetimet e Prokurorisë do të dalë i pafajshëm.

Avokati i Asdren Mekajt, Arben Hoti, thotë se hetimi kishte nisur nga dëshmia, siç e konsideron mashtruese, e Pal Grudës.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj 14 personave për krim të organizuar dhe fajde në maj të vitit 2016.

Ndërsa, në dëshminë që kishte dhënë gjatë gjykimit të këtij grupi për fajde, Pal Gruda kishte thënë se fajdexhinjtë e “kanë kërcënuar se do t’ia shfarosnin familjen”.

Por, Asdren Mekaj thotë se nuk e kupton pse është duke u hetuar nga Prokuroria, pasi nuk i njeh asnjërin nga të akuzuarit për fajde. Pas dorëzimit, Asdren Mekajt i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme