Arbëri

Lushtaku mund ta takojë kreun e OSHP-së, por në seancë gjyqësore për “KEK2”

Kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Blerim Dina, mund t’i rastisë ta takojë Sami Lushtakun, por në ndonjë prej gjykatoreve të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Prokurori Danilo Cecarelli, përmendi Dinën si dëshmitar të mundshëm në rastin “KEK2”, ku Sami Lushtaku është i akuzuar për nxitje në kryerje të veprës penale.

Nëse kjo është e vërtetë, sipas prokurorit Cecarelli, konfirmon akuzën ndaj Sami Lushtakut.

Por, për avokatin Arianit Koci, një propozim i tillë e konfirmon të kundërtën: se Prokuroria nuk ka prova ndaj Sami Lushtakut.

Dëshmitar tjetër nga Prokuroria në këtë seancë të shqyrtimit gjyqësor, është propozuar Richard Orsmond, çka nuk është kundërshtuar nga mbrojtësit, derisa gjyqtari Beqir Kalludra, tha se do të tentojnë të bëjnë një gjë të tillë të mundshme.

Procesi gjyqësor, pas largimit të EULEX-it nga trupi gjykues, u është kthyer fazave fillestare, dhe janë konstatuar vetëm leximi i aktakuzës, deklarimet rreth fajësisë e fjalët hyrëse, por nuk ka mundur të vazhdojnë me dëgjimin e dëshmitarëve, që kanë mbetur për seancën e ardhshme.

Kundërshtime avokatët kanë pasur edhe me provat e shqyrtuara në seancat e mëhershme dhe dëshmitë e 19 dëshmitarëve, për çka trupi gjykues do të marrë vendim.

Përveç Sami Lushtakut, të akuzuar janë edhe drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, ish-kryetari i OSHP-së, Hysni Hoxha, ish-drejtori i prokurimit, Driton Pruthi, si dhe Azem Duraku, Milazim Lushtaku e Eset Tahiri.