Zymer Krasniqi, emri i të cilit u mbulua nga ai i Lumezit do zbardhjen e manipulimit

Zymer Krasniqi, emri i të cilit u mbulua nga ai i Lumezit do zbardhjen e manipulimit

09 nëntor 2017 19:04

Zymer Krasniqi, emri i të cilit është mbuluar me atë të Aleksandër Lumezit në dosjen e provimit të jurisprudencës, ka rrëfyer për Kohavisionin dhe Betimin për Drejtësi, se i ka ndjekur të gjitha procedurat për ta dhënë provimin e jurisprudencës.

Ai kërkon zbardhjen e manipulimit të dosjes së tij. Krasniqi, në verën e 91-s e kishte braktisur Prapaqanin, fshat në Deçan për t’u zhvendosur në Starnberg të Gjermanisë, ku e ndërtoi jetën nga e para.

Ani pse ishte jurist i diplomuar dhe kishte hyrë në të gjitha fazat për të dhënë provimin e jurisprudencës, Zymer Krasniqi, si emigrant nisi punën si një punëtor i pakualifikuar.

Jeta e tij ishte e qetë deri në momentin kur pa në televizor, se dosja e provimit të tij të jurisprudencës ishte manipuluar, ka rrëfyer ai për Kohavisionin dhe Betimin për Drejtësi. Ai thotë se nuk i ka ardhur mirë që emri i kryeprokurorit ndodhet në dosjen e tij dhe kërkon që historia të zbardhet.

Zymer Krasniqi, që tash mban mbiemrin Tahiri, insiston dhe thotë se mban mend që ka përfunduar praktikën në Gjykatën e Deçanit. Kishte paraqitur provimin në tetorin e 90-s, i ishte nënshtruar atij në shkurt, madje thotë se ka hyrë edhe në provimin me gojë.

Të martën e shkuar, 31 tetor 2017, Zymer Tahiri, është marrë në pyetje nga Policia. Por, ai thotë se nuk i është treguar në çfarë cilësie është marrë në pyetje. Thotë të mos ketë marrë avokat, pasi e konsideron veten profesionist të kësaj fushe.

Të gjitha shpenzimet e qëndrimit të tij dyditor në Kosovë, thotë se ia pagoi shteti.

Zymer Krasniqi, i cili tashmë quhet Zymer Tahiri, thotë se mbiemrin e kishte ndërruar pasi në Prapaqan të Deçanit shumica e banorëve janë Krasniqi.

Por, shtetësia e tij vazhdon të jetë kosovare, ani pse ka vite që jeton në Gjermani. Sidoqoftë, emri i tij nuk figuron në asnjë dosje të provimit të jurisprudencës, kjo pasi mbi dosjen e tij u ndërtua dosja e Aleksandër Lumezit.

Hetimet për këtë po kryhen nga departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore të Prishtinës, ato po udhëhiqen nga Kujtim Munishi, i cili për kohë të gjatë ka punuar në zyrën e Lumezit.

Ndërkohë, Instituti i Kosovës për Drejtësi kërkon hetime të pavarura për dosjen e manipuluar të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, për dhënien e provimit të jurisprudencës, përmes krijimit të një ekipi të prokurorëve të EULEX-it me prokurorë amerikanë, britanikë dhe gjermanë.

“Pozita e Kryeprokurorit të Shtetit hyn në kuadër të pozitave më të rëndësishme në Kosovë, e cila duhet të përçojë besim te qytetarët, se kompetencat dhe përgjegjësitë e tij ushtrohen në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të drejtë. Kryeprokurori i Shtetit duhet të këtë integritet të pakontestuar dhe kredibilitet të fortë për të përçuar te publiku besim dhe siguri. Për këto arsye, duke u bazuar në hulumtimet e ekipit “Betimi për Drejtësi” dhe Kohavision, të cilat kanë faktuar manipulimin e dosjes së provimit të jurisprudencës së Aleksandër Lumezit, IKD-ja kërkon hetime të pavarura, të paanshme dhe profesionale”, thuhet në njoftimin për media.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Burim Bardhdrini13/11/2017 10:06

Enver Hasani, i quajtur "baba" është kreatori i kësaj situate, me qëllim që ata që e kishin bërë rektor universiteti dhe kryetar të Gjykatës Kushtetuese,të kalojnë më lehtë situata që po i pret me fillimin e punës së Gjykatës Speciale.Enver Hasani, si është parë dhe vërtetuar në raste të ndryshme, është një figurë e ndyrë, pa fije morali, sinqeriteti dhe njerëzie.Është një mëkat i rëndë dhe i pafalshëm që ky njeri u gjend në ato poste aq të rëndësishme.

Shto koment

Të ngjashme