Kërkohet që të ketë vija të kuqe në rezolutën për dialogun me Serbinë

Kërkohet që të ketë vija të kuqe në rezolutën për dialogun me Serbinë

09 nëntor 2017 17:15

Shoqëria civile po kërkon që në Rezolutën e re që duhet ta nxjerr Kuvendi për fazën tjetër të dialogut, të specifikohen qartë përgjegjësitë e secilit institucion në procesin e dialogut me Serbinë.

Madje, në këtë Rezolutë të cilën e quajnë të domosdoshme, duhet të ketë edhe vija të kuqe përtej të cilave nuk mund të kalojë askush që përfshihet në procesin e dialogut.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, e quan të vonuar miratimin e një Rezolute nga ana e Kuvendit, por se edhe tash është e domosdoshme që të përcaktojë qartë përgjegjësitë si të Kuvendit, Presidencës, Qeverisë dhe secilit që merr pjesë në dialog.

Ai për KosovaPress ka thënë se pika e parë që duhet të jetë në Rezolutë, është informimi i Kuvendit para arritjes të secilës marrëveshje dhe marrjen e miratimit të shumicës në Kuvend.

“Ajo Rezolutë gjëja e parë që duhet ta përmbajë është që ta obligojë qeverinë, presidentin apo bartësit tjerë që mund të jenë të dialogut që gjithmonë pas çdo raundi të dialogut në Bruksel të vijë dhe të raportoj në Kuvend dhe të tregojë se çka është diskutuar dhe cilat janë vendimet që do të merren. Kjo nënkupton që Qeveria, ose edhe presidenti të mos kenë të drejtë të nënshkruajnë marrëveshje në një proces të tillë të dialogut pa u konsultuar me Kuvendin dhe pa marrë miratimin e një shumice të konsoliduar”, tha Demhasaj.

Por, përveç raportimit në Kuvend pas secilit raund të dialogut, Demhasaj thotë se rezoluta duhet të ketë edhe vija të kuqe përtej të cilave nuk guxon askush të dalë dhe të arrijë marrëveshje në këtë proces.

“Normalisht që kjo Rezolutë duhet të ketë edhe disa kushte ndoshta ose disa parime përtej të cilave nuk guxon të shkojë askush, as presidenti, as Qeveria, as anëtarët tjerë negociatorë që mund të jenë pjesë e ekipit negociator. Pra me qenë disa vija të kuqe ose premisa përtej të cilave nuk ka autorizim asnjë individ t’i kalojë këto dhe të nënshkruajë marrëveshje ose të arrijë marrëveshje të ndryshme që lidhen direkt me Kosovën”, tha Demhasaj.

Edhe përfaqësuesit e partive politike e shohin të domosdoshëm sqarimin e pozicionit të secilit institucion në procesin e dialogut.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, tha për KosovaPress, se Kuvendi patjetër duhet të nxjerrë një rezolutë para nisjes së fazës së re të dialogut, me qëllim të përcaktimit të rrugës së Kosovës në këtë proces. Madje ai kërkon që kjo rezolutë të artikulojë qartë dëmet dhe përfitimet që i ka sjellë ky proces Kosovës dhe ekzaminimin e marrëveshjeve të arritura.

“Unë mendoj që definivisht Kuvendi i Kosovës duhet të ketë një rezolutë të re ku do të përcaktojë qartë, autorizimet ndaj kujt, kush është i autorizuar që të vazhdojë me procesin e dialogut dhe në fakt në atë rezolutë do duhej të artikulohej qëndrimi që çfarë është bërë deri me tani me këtë dialog, cilat janë të mirat që i janë sjellë Kosovës, do të thotë një ekzaminim i këtyre, ose kontroll të vetë marrëveshjeve dhe zbatimit të tyre dhe të vendoset pastaj se si të ecet tutje...E para duhet qartësuar se kush është bartës i këtij procesi, a është Kuvendi, a është Qeveria, a është Presidenti. Nëse ka dal në nivel presidentësh pse ka dalë dhe çka synohet të arrihet, sepse kjo formë si ka shkuar deri sot, me tepër duket se i ka sjellë dëme vendit se sa dobi”, theksoi Selmanaj.

Deputeti i LDK-së shtoi se nuk mund ta lënë këtë proces në errësirë dhe me shumë paqartësi sepse më pas po del se disa nga vendimet as që i kanë parë. Mirëpo, sipas tij, nuk guxojnë që këtë barrë të madhe t’ia lënë tekeve qoftë të presidentit, qoftë të një kryeministri apo dikujt tjetër.

Rreth hetimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani, Selmanaj thotë se së pari duhet të ulen partitë dhe politikisht të merren vesh për modalitetet, se a duhet të ketë hetim të tërësishëm apo për ndonjë marrëveshje të veçantë apo si.

Por, Demhasaj thotë se nuk mund të ndodhë hetimi dhe shfuqizimi i marrëveshjeve të arritura, sepse ato tashmë janë arritur me ndërmjetësimin e Brukselit dhe kushdo që tenton t’i shfuqizojë ato, do të përballet me kundërshtimin e Brukselit.

Madje, sipas tij, shfuqizimi i tyre do të mund të kishte dëme në liberalizimin e vizave dhe rrugën integruese të Kosovës.

Kërkesa për nxjerrjen e një rezolutë re nga Kuvendi për fazën tjetër të dialogut, doli pas takimit të Komisionit për Punë të Jashtme bashkë me KDI-në dhe kryetarët e të gjitha komisioneve ku u diskutua koordinimi mes komisioneve për procesin e dialogut.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme