KE llogarit që Shqipëria të ketë rritje 4 për qind

KE llogarit që Shqipëria të ketë rritje 4 për qind

09 nëntor 2017 16:30

Në raportin ekonomik për vendet anëtare dhe ato kandidate të Bashkimit Evropian, të publikuar sot, Komisioni Evropian ka përllogaritur një rritje prej 4,0 për qind të ekonomisë së Shqipërisë gjatë vitit 2017, sipas një deklarate për median të këtij komisioni.

Në raport shpjegohet se ndikim në këtë rritje kanë pasur investimet e huaja në sektorin energjetik dhe kërkesa e brendshme si pasojë e rritjes së pagave dhe punësimit.

”Investimet e huaja direkte në sektorin e energjisë janë në kulm duke sjellë një përshpejtim të veprimtarive ekonomike gjatë vitit të fundit. Eksportet vazhdojnë të rriten me ritëm të shpejtë duke përfituar nga turizmi dhe nga përforcimi i ekonomive të partnerëve kyç tregtarë. Rritja e punësimit dhe pagat më të larta kanë rritur konsumin e brendshëm. Investimet dhe konsumi mbështeten nga një politikë monetare akomoduese. Inflacioni është i ulët, por i projektuar të rritet gradualisht drejt objektivit zyrtar. Pozicioni i politikës fiskale po e pakëson vetëm ngadalë nivelin e lartë të borxhit publik në raport me PPB-në”, thuhet në raportin e KE-së.

”Kontribuesit kryesorë të rritjes ishin investimet dhe eksportet. Formimi i kapitalit fiks u forcua me 12,9 për qind duke reflektuar pikun e periudhës së investimeve të huaja direkte në seksionin shqiptar të TAP-it dhe një projekti të gjerë të hidroenergjisë. Eksportet u rritën me 15 për qind falë një turizmi në zgjerim dhe rikuperimit të eksportit të mallrave pas tri vjetësh tkurrje”, shtohet në të.

”Importet, që i tejkalojnë eksportet me thuajse 50 për qind, u rritën në mënyrë më të moderuar me një nivel prej 5,8 për qind. Rritja e konsumit publik pati një rritje gjallëruese 6,6 për qind, sidomos përsa i takon pagave, sigurimeve shoqërore dhe buxheteve lokale. Rritja e konsumit privat, nga ana tjetër, ishte relativisht e tkurrur me 2,1 për qind, ndoshta duke reflektuar pasigurinë politike për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit”, theksonte raporti.

”Besimi i konsumatorëve po përmirësohet, punësimi po rritet në një pikë të kënaqshme dhe niveli i përgjithshëm i pagave është rritur me 10 për qind, në një pjesë të madhe të sektorit publik në mars. Kjo pritet që ta rrisë konsumin privat me 3 për qind në dy vitet e ardhshme në krahasim me një rritje të moderuar në 2017-n. Përkundrazi, formimi i kapitalit fiks, ka gjasa të bjerë substancialisht vitin e ardhshëm, teksa dy projekteve të mëdha energjetike po u vjen fundi i tyre. Investimet në strukturat e turizmit dhe në sektorin minerar, gjithsesi, pritet ta mbajnë relativisht të lartë rritjen. Rritja e konsumit publik pritet të jetë e moderuar në dy vitet e ardhshme pas pikut të 2017-s”, sipas raportit ekonomik për vendet anëtare dhe ato kandidate të Bashkimit Evropian, të publikuar sot, Komisioni Evropian.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme