Vetëm 10 për qind e grave bëjnë biznes në Kosovë

Vetëm 10 për qind e grave bëjnë biznes në Kosovë

09 nëntor 2017 12:44

Gratë në ekonominë e Kosovës përfaqësojnë vetëm 10 për qind të pronarëve të bizneseve, kryesisht të bizneseve mikro dhe të vogla, ndërsa pa fuqizimin e tyre si punëdhënëse apo ndërmarrëse nuk mund të gjenerohet rritje ekonomike.

Kështu deklaroi drejtori i institutit Riinvest, Alban Hashani me rastin e publikimit të hulumtimit "Ndërmarrësia e Grave", ku tha se fuqizimi i grave është tejet i rëndësishëm pasi që pa fuqizimin e gruas nuk mund të ketë zhvillim ekonomik.

“Si ndërmarrëse, gratë në ekonominë e Kosovës përfaqësojnë vetëm diku rreth 10 për qind të bizneseve aktive, gjë që është e ulët dhe kryesisht janë ndërmarrje të vogla... Kjo nuk është unike për Kosovën, mirëpo të dhënat për Kosovën janë më shqetësuese. Shumica e ndërmarrjeve në pronësi të grave janë në sektorin e shërbimeve dhe të tregtisë dhe jashtëzakonisht pak në sektorin e prodhimit... 4’08” Për institutin Riinvest, fuqizimi i grave është i rëndësisë .. për arsye se ne besojmë se pa fuqizimin e grave si pronare dhe ndërmarrëse ne nuk mund të gjenerojmë rritje ekonomike e cila mund të sigurojë kushte për jetë më të dinjitetshme për qytetarët e Kosovës”, tha Hashani, përcjell ksp.

Lendita Kastrati nga Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës, tha se ha se ambienti i grave për të bërit biznes vazhdon të jetë shumë i vështirë.

“Sfidat ende mbesin ekonomia joformale, konkurrenca jo fer, dhe grumbullimi i borxhit. Më specifike e kisha përmend pamundësinë e zgjerimit tek gratë ndërmarrëse. Shumica e grave aty ku operojnë aty edhe shesin. Kanë kapacitete shumë të vogla për të rritë apo zgjeruar tregun e tyre jashtë komunës ku ato operojnë. Kemi mungesë apo pamundësi të ekspozimit të produkteve dhe shërbimit të tyre edhe jashtë Kosovës. Kemi një pjesëmarrje shumë të vogël të grave që marrin pjesë nëpër panaire ndërkombëtare jashtë vendit dhe kjo i mundëson edhe pamundësinë e eksportit për produkte dhe shërbime të tyre”, theksoi Kastrati.

Përkundër sfidave, sipas Kastrati, ka një dukuri pozitive e që është përkrahja që gratë po marrin çdoherë e më shumë, përderisa theksoi se sfidat nuk duhet të ndikojnë në dekurajimin e tyre.

Ndërmarrëse në "Baruti AG", Drenusha Shala, tha se edhe pse sot janë një kompani e madhe dhe që kanë arritur t’i plasojnë shërbimet e veta edhe jashtë Kosovës, megjithatë gjatë rrugës ka pasur mjaft sfida.

E sipas saj, pjesëmarrja në trajnime profesionale do të ndikonte në lehtësimin e të bërit biznes për gratë dhe në një ballafaqim më të lehtë me sfidat.

“Ka shumë gra me ndërmarrje të vogla që kanë produkte me kualitete shumë të larta, por thjeshtë nuk po dinë se si me i ekspozua ato produkte. Kjo në fakt është mungesë e trajnimit. E dyta është se si me e rritë biznesin, qysh me dal jashtë asaj komune, qysh me gjet klientë të ri. Dhe si sfidë tjetër e shoh pak a shumë financimin. M’u duk shumë interesant sesi 90 përqind e grave kanë marrë mbështetje për hapjen e financimit, por mbështetja ndoshta ka qenë vetëm pasive”, theksoi ajo.

Norma tatimore, tregu i vogël dhe ngarkesat administrative janë barrierat kryesore që gratë e anketuara kanë thënë të ballafaqohen me to.

Megjithëse ky raport flet për një pjesë të vogël të grave pjesëmarrëse në biznes, bizneset e tyre janë pjesë përbërëse e rëndësishme e strukturës socio-ekonomike në Kosovë dhe se pa fuqizimin e tyre nuk ka fuqizimin ekonomik.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme