Arbëri

Jeta në burgun e Lipjanit

Në Qendrën Korrektuese në Lipjan vuajnë dënimin 70 persona, 40 gra dhe 30 persona të moshës jomadhore. Ata janë dënuar për vepra të ndryshme penale, duke filluar nga veprat të cilësuara si 'më të lehta', e deri tek akuzat më të rënda për vrasje.

Njëra nga to është Shpresa 30-vjeçe. Ajo qe shtatë vjet ka veshur jelekun ngjyrë portokalli. Deri në përfundim të dënimit i kanë mbetur edhe 11 vjet të tjera.

Jam penduar shumë, veç një njeri që nuk është normal nuk mund të mos pendohet për një gabim të tillë, citon REL atë.

Jeta në burg është e vështirë, pavarësisht kushteve dhe trajtimit të mirë, thotë ajo duke shtuar se nga mëngjesi deri në darkë, jeta është e organizuar, duke përfshirë punën dhe aktivitete ditore në këtë institucion.

“E vështirë është jeta brenda mureve. Nuk mund ta kuptojë dikush që nuk e ka përjetuar. Çdo mëngjes zgjohesh me mendjen te njerëzit e lirisë dhe me mallin e tyre. Jam penduar shumë, veç një njeri që nuk është normal nuk mund të mos pendohet për një gabim të tillë”.

“Në mëngjes punoj, kurse nga mesdita e deri në mbrëmje lexoj, shkruaj, bëj punëdore të ndryshme, merrem me aktivitete sportive. Kjo është përditshmëria ime brenda mureve”, tregon Shpresa.

Në njërin nga pavionet e këtij institucioni, që 16 vjet e 5 muaj, e penduar për veprën e bërë, jeton edhe Lumja e cila do të qëndrojë edhe tetë vjet tjera në vuajtje të dënimit.

Atë ditë që kam ardhur këtu jam penduar për veprën e bërë.

​Gjatë këtyre viteve të vuajtjes së dënimit, Lumja ka arritur të drejtën vetëm një herë të kalojë derën e burgut për ta kaluar një fundjavë me familjen e saj.

“Zgjohem në mëngjes, shkoj në punë, punoj në furrë. Kthehem në pavion, pimë kafe me shoqe, shikojmë televizor, shkojmë në aktivitete sportive, dalim në shëtitje. Kushtet janë të mira, ushqimi, kujdesi shëndetësor është i mirë. Por, megjithatë është shumë vështirë të qëndrosh me vite brenda këtij ambienti. Atë ditë që kam ardhur këtu jam penduar për veprën e bërë”, rrëfen Lumja.

Në njërën nga objektet e kësaj qendre, vuajnë dënimin edhe të miturit të cilët janë dënuar për vepra të ndryshme, përfshirë vjedhje, vrasje e krime të tjera.

Agoni është 18-vjeç. Ditëlindjen e 16-të e ka shënuar në këtë qendër, prej nga pritet të dalë pas dy vjetësh. Agoni, që ka pasion pikturën, tregon sesi një moment i pakontrolluar i ka dhënë kahe komplet ndryshe jetës se tij.

Ai ka ndërprerë klasën e 10-të, gjimnazin e përgjithshëm në qytetin e tij, për të vazhduar procesin mësimor në qendër.

“E kam ndërruar drejtimin , jam në teknologji informative. Këtu vijnë profesorët më mbajnë ligjërata. Mirë është, por ka mundësi edhe më mirë. Pas përfundimit të dënimit, dëshiroj të studioj Fakultetin Ekonomik”, shprehet Agoni.

Një bashkëmoshatar i tij, Egzoni, ka edhe shtatë muaj deri në përfundim të dënimit.

Nuk jam penduar për veprën që kam bërë, por këtë gabim nuk e përsërisë asnjëherë.

​Por, për dallim nga pjesa tjetër e banorëve të kësaj qendre, me të cilët biseduam, thotë se nuk është penduar.

“Nuk jam penduar për veprën që kam bërë, por këtë gabim nuk e përsërisë asnjëherë. Këtu nuk shkoj në shkollë, por vizatoj, në kohë të lirë dal punoj, kositi bari, ngjyrosi dhe çka ka nevojë. Kushtet janë të mira”, thotë Egzoni

Drejtori i Qendrës Korrektuese në Lipjan, Heset Loku, për Radion Evropa e Lirë, thotë se në këtë qendër janë krijuar kushte që të burgosurit të kenë mundësinë e ushtrimit të aktiviteteve të ndryshme.

“Varësisht nga grupet dhe kategoritë janë edhe aktivitetet. Aktivitete që zhvillohen te femrat, përveç që kanë aktivitete sportive, aktivitete të lira, kanë edhe trajnime profesionale në fusha të ndryshme. Falë aftësimit dhe trajnimit të femrave në rrobaqepësi dhe floktari dhe të gjitha këto femra që kanë pasur interesim kanë marrë certifikatat”, thotë Loku.

Pavarësisht kushteve të mira, siç thonë të burgosurit, dita për t’ia kthyer shpinën kësaj qendre, pritet me padurim.