E vërteta e përplasjes në mes të Shqipërisë e Greqisë

E vërteta e përplasjes në mes të Shqipërisë e Greqisë

08 nëntor 2017 21:58

Himara u bë për muaj të tërë qendra e retorikës së fortë mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Projekti urbanistik për rregullimin e qytetit të vogël bregdetar u cilësua nga Greqia si një shkelje e të drejtës pronësore. Miratimi i projektit pengohej me forcë në Këshillin Bashkiak të Himarës dhe në të njëjtën mënyrë u miratua nga shumica e këshilltarëve që u mblodhën në fshatin Kuç.

Plani urbanistik u miratua edhe nga Këshilli kombëtar i territorit. Ky ishte momenti kur tensioni u rrit por, negociatat jashtë vëmendjes së mediave vijonin për një zgjidhje të plotë të problemeve mes Shqipërisë e Greqisë.

Reagimi i Athinës, pothuajse pro Tiranës, ditën kur buldozerët nisën shkatërrimin e disa ndërtesave në Himarë, tregoi se negociatat kishin ecur mirë.

Me ndihmën e dhjetëra forcave të ndërhyrjes së shpejtë, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit hodhi në tokë disa ndërtesa. Fadromat nuk u ndalen nga protestat e banorëve dhe thirrjet e përfaqësuesve politikë të PBDNJ, por nga një vendim gjykate.

Himarjotët protestuan me flamuj grek, në qytetin e tyre, por edhe në Athinë, tashmë pa mbështetjen e Athinës.

“Ato që u prishën nuk zotëronin tituj pronësie. Pra janë ndërtesë pa pronarë të ligjshëm ose pronarët nuk kishin aplikuar për to”, tha Kozias.

Opozita greke e çoi shqetësimin e saj për Himarën në Bruksel, ndërsa opozita shqiptare çoi deputetin Flamur Noka në përkrahje të protestave dhe të nesërmen Himara u bë bashkë me hashashin, tema kryesore e replikave në Kuvend.

Larg tollovisë politike në Athinë e Tiranë, banorët e Himarës janë ende të shqetësuar për çka po ndodh me ta. Me të pakënaqur janë banorët e zonës së njohur me emrin Spile.

Gjykata e Vlorës pezulloi punën e IKMT-së për shkatërrimin e ndërtimeve, por mjetet e rënda janë ende atje në pritje të një tjetër vendimi.

Në plan janë 23 objekte që do të shemben për t’i hapur rrugë projektit, ndërsa deri tani janë prishur vetëm 8 të tilla, kryesisht mure rrethuese dhe biznese.

Por, pavarësisht kohës që ju dha Gjykata e Vlorës, shumë banorë nuk disponojnë dokumentet për pronat e tyre.

Thomai është 93 vjeç dhe jeton bashkë me të shoqen në një nga këto ndërtesa buze bregut, për të cilin pritet vetëm vendimi i gjykatës dhe mund të shembet nga dita në ditë. Ai pranon që është i pajisur pjesërisht me dokumente dhe nuk ka legalizim të ndërtimit.

“Dokumente kam pjesërisht, shtëpia është imja, s’kam bërë dokumente të tjera. Nëse prishet, ku do të shkoni ju të dy? Nuk e di në det. Mund të bësh diçka me lekët që do të marrësh nga shpronësimet? Të marr leka, nuk i marre le t’i mbajnë ata, ç’i dua unë . Po këtu dua të rri unë, nuk dua shpronësime”, shprehet Thoma Neranxi, Banor Himare.
Gjenovefa, me ironi na tregon se sa të lehtë e ka ajo që pas ndërhyrjes së IKMT-së të futet në shtëpi.

“Ja pra kjo është shtëpia, kjo është porta e avllisë që e rrëzuan, mirë e bën, me lehtësuan punë që të mos lodhem hap e mbyll. Do të thuash se si e bën? Ishte darkë pas orës 6-të, ishte errur dmth, kalonin gjasmë për të parkuar në mol, edhe thanë hajde të bëjmë edhe ndonjë punë këtu duke ecur. Kur erdha unë kishte mbaruar filmi, e kishin rrezuar dhe ishin duke ikur, sepse kishim dal njerëzit , kishin bërtitur, kishin ulëritur. Mua s’ më ka ardhur asnjëlloj njoftimi as me shkrim e as me gojë që do më prekin çfarëdoqoftë ajo që do më prekin. Mua më kishin thënë siç i kanë thënë edhe të tjerëve, që do vijnë do bëjnë matje dhe të më dëmshpërblejnë. Që të më shpronësojnë duhet të kem përpara dokumentin e pronësisë, logjika ata as dokument pronësie s’japin , as vlerësim objekti, trualli nuk bëjnë edhe vijnë e rrëzojnë siç u do qejfi atyre”, thotë Gjenovefa Neranxi Banore Himare.

Në zonën ku do të ndërtohet shëtitorja pavarësisht se këto janë ndërtesa të trashëguara brez pas brezi, nuk ka asnjë të mbrojtur, siç edhe pretendohet. Problemi i shumicës prej pronareve mungesa e dokumenteve për ato që i quajnë prona të tyre, duke u mjaftuar vetëm me ato që kanë pasur para viteve 90’. Ministri Gjiknuri ju premtoi se në Himarë do hapej një zyrë e veçante e Hipotekave.

“Jam 4 vjet në proces legalizimi, që procesi i legalizimit që kam bërë në Vlorë thotë se nuk ka të drejtë shteti të ndërhyj nga moment që është në proces legalizimi. Jam në tokën time, unë nuk jam këtu në tokën e tjetrit , jam regjistruar që në 52-shin ne kadastrën e Vlorës. Edhe takimi i fundit që do bëhet sot, unë mendoj se nuk ka rrugëzgjidhje. Nuk kam pse t’i zbraz se jam në shtëpinë time dhe nuk kanë sesi të më nxjerrin me dhunë. Shtëpia po e zëmë, në vijën e parë që jemi ne në Himarë, domethënë shkon tek 1000 euro metri katror, nëse do të biem dakord me bashkinë që të vazhdoj projekti i bashkisë, duhet të na vlerësojë edhe ne me çmimin e tregut jo me një vlerë qesharake. Për shembull, unë që do të më prishet objekti, ku do të shkoj unë, me 15 milionë të vjetra domethënë, ku do shkojë unë?”, thotë Elton Beizi, banor në Himarë.

Fondi për shpronësimet ku do të ndërtohet shëtitorja në Himarë është rreth 1 milionë euro.

“Nje pjese e objekteve kane filluar qe te marrin edhe shperblimin monetare, nje pjese kane hapur edhe gjyqe per te perfituar dicka me teper, kurse nje pjese akoma nuk po vijne per te bere dokumentat ne menyre qe te vazhdoj procesi i shpronesimit”, thotë Jorgo Goro Kryetar Bashkia Himarë.

Pikerisht per keta banore te cilet nuk kanë dokumente, me qëllim që të shmangen tensionet është ngritur edhe një grup pune nga përfaqësues të disa institucioneve, si Bashkia Himarë, Zyra vendore e regjistrimit te pasurive te paluajtshme Vlorë dhe Drejtoria e Shpronësimeve në Ministrinë e Infrastrukturës. Ky grup po punon për të ndihmuar banorët, te bejne sa me shpejt dokumentat që u mungojnë, që të gjithë ata që do preken nga plani urbanistik të kompesohen me para ne dore. E për këtë vihet re edhe radhë për të marrë informacion ose për tu pajisur me dokumentet përkatëse para se t’u vijë radha shtëpive të tyre.

“Lajmerimet jane bere por pretendimet tona jane se ne jemi ne token tone , toka e hipotekuar , une psh, lokali eshte me leje nga KRT-ja ketu, te gjitha. Te gjithe te pahipotekuar i kemi s eshte bere legalizimi ketu. Nderkohe ju keni filluar ta boshatisni lokalin dhe shtepine tuaj ketu? Po , po edhe heren e pare para nje viti e boshatisa, ndejti nje vit keshtu, tani prape e boshatisa”, shprehet Andrea Zoto, banor i Himarës.

Ne rradhen e gjate te pronareve, nuk mungojne edhe ata qe nxisin per proteste.

Po pavarësisht frikës së banorëve, nëse do arrijnë të pajisen me të gjitha dokumentet, apo nëse do përfitojnë kompensim të plotë sipas çmimit të tregut, situata është më e ç’tensionuar se në ditët e para kur specialistët e IKMT-së mësynë drejt Himarës, që t’i hapin rrugë projektit të tenderuar prej një viti, por që ka mbetur në pritje për shkak të pronarëve. Kryetari i Bashkise Himare, thotë se megjithëse ky projekt është në interes të qytetareve, ka pasur një dorë politike kundra.

“Eshte nje investim qe i ka munguar Himares, eshte nje investim qe e kthen qytetin e himares ne qytet se deri tani ska qene qytet dhe I jep prespektiva shume te medha kesaj zone qe ka etje per investime.Kane marre nga bashkia cdo ndihme te duhur ligjore por edhe proceduriale ne menyre qe te regjistrojne pronat e tyre, por kuptohet qe nga mbrapa ka nje dore qe nuk i ka lejuar keta qytetare qe te vazhdojne procedurat sic i kishim nisur ne fillim. Pra ka qene e penguar nga nje force politike me perfitime te vogla”, thotë Goro.

Ndërtimi i shëtitores, që kap vlerën e 3,5 milionë eurove, pritet të përfundojë në një afat prej 12 muajsh. Por, për kreun e shoqatës Omonia, Fredi Bejleri, pritshmëritë janë larg asaj që po ndodh, përfshirë këtu edhe komisionin e ngritur për përshpejtimin e legalizimeve.

“Kishim rene dakord qe te behet regjistrimi i pronave me inspektore te posacem dhe ne menyre te shpejtuar , kjo gje nuk po ndodh. Ndjehemi te zhgenjyer sepse nxitimi i shtetit per te vepruar fsheh mendime te mbrapshta. Ne i stimulojme qe te zbatojne ligjet e shtetit shqiptar. Ligji thote se 2 muaj me perpara se te nderhyj fadroma, duhet te jene shpronesuar, kjo gje nuk ka ndodhur. Nuk dua te besoj se fadromat nuk do ti binden edhe vendimit te gjykates, presim vendimet e gjykatave dhe nese ato nuk na japin te drejte do ti drejtohemi gjykatave nderkombetare”, shprehet Fredi Bejleri, kreu i OMONIA-s.

Gjithsesi, tashmë si banorët ashtu edhe qeveria, sytë i kanë nga Gjykata e Apelit. Njëra palë shpreson që të pezullohen shembjet dhe t’u njihet e drejta e pronës, ndërsa tjetra të vijojë me planin urbanistik.

Mbi dyqind kilometra larg Tiranës, atje ku Himara preku foltoren e Kuvendit, në qytezën e bregut, situata është qetësuar, por problemi është larg mbylljes.

Retorika nacionaliste dhe akuzat me sfond etnik, i kanë lënë vendin shqetësimit real të banorëve: atë mbi pronat, mbi ligjin dhe mbi vlerat monetare. Që përbën dhe faturën financiare të një sherri, që nisi për rilindjen urbane dhe përfundoi sot në Bruksel.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme