Arbëri

Në Qeverinë e Kosovës janë të punësuara vetëm 6 për qind gra

Nazlie Musliu, pas përfundimit të luftës në Kosovë, ishte kthyer nga Gjermania dhe për 14 vjet rresht ka kërkuar punë.

Ani pse kishte përgatitjen e duhur dhe shumë kurse të ndjekura, mezi është punësuar para 4 vjetësh. Ajo shprehet se shumë herë nuk është punësuar vetëm pse është grua, raporton KTV.

Ndonëse nga të gjitha universitetet publike numri më i madh i të diplomuarve janë të gjinisë femërore, në punësim gruaja nuk po përkrahet aq sa duhet në vendin tonë.

Një hulumtim i “Institutit GAP”, që flet për punësimin dhe përfaqësimin e grave në Kosovë, tregon se në Qeverinë e Kosovës 94 % e të punësuarve janë meshkuj dhe vetëm 6 % janë gra.

Hiq më mirë, sipas tij, nuk gjendet as sektori privat. Madje, GAP e vlerëson si sektorin më neglizhent ndaj grave dhe shpall konkurse me kërkesa që lë të nënkuptojë se konkursi është i shpallur vetëm për meshkuj.

Luljeta Demolli, drejtoreshë në Qendrën për Studime Gjinore, thotë se shteti duhet të krijojë vende pune edhe për gratë, pasi ato në të shumtën e rasteve dinë të jenë shumë më të suksesshme se burrat.

Sipas statistikave të këtij hulumtimi, 4 mijë e 587 femra kanë diplomuar vitin e kaluar ndërsa vetëm 2 mijë e 640 meshkuj. Por numri i meshkujve të punësuar është 48 %, ndërsa i femrave vetëm 12.7 për qind.