Arbëri

Ambasadori i Francës në Kosovë mbajti ligjëratë në Universitetin e Prizrenit

Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren sot e vizitoi ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert ,me bashkëpunëtorët.

Fillimisht ai u takua me rektorin e UPZ-së, Prof. Dr. Ramë Vataj dhe stafin tjetër menaxhues. Rektori Vataj e njoftoi ambasadorin me gjendjen aktuale në UPZ. Ai theksoi të arriturat dhe planet për të ardhmen. Rektori Vataj, i cili ka kryer doktoraturën në Francë, foli për mikpritjen dhe përkrahjen e shtetit francez. Ndërkohë ambasadori Chabert ka mbajtur një ligjëratë rreth kontributit të Francës në hapjen ndërkombëtare të Kosovës. Në ligjëratën e tij ai theksoi se Franca ka qenë e rreshtuar në krah të zgjidhjes së çështjes së Kosovës që nga vitet e ’90-ta, ka mbështetur intervenimin e NATO-së për ndaljen e agresionit serb mbi shqiptarët e Kosovës, ka investuar në rindërtimin e vendit pas luftës, ka qenë pro shpalljes së pavarësisë dhe është vendi i dytë që e ka njohur shtetin e Kosovës dhe se e mbështet fuqishëm integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe perspektivën evropiane të Kosovës.

Pas ligjëratës studentët e UPZ-së janë njoftuar për mundësitë e studimit në universitet franceze.