Radiologjia po përballet me mungesë të aparaturave Foto: Koha / ilustrim

Radiologjia po përballet me mungesë të aparaturave

08 nëntor 2017 15:00

Klinika e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, po përballet me mungesë të aparaturave për ekzaminim.

Kjo po shkakton probleme të shumta në diagnostikimin e pacientëve, thonë për Radio Kosovën drejtues të Klinikës së Radiologjisë. Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, tha se janë ndarë mjete, ku parashihet që për një kohë të shkurtët të bëhet riparimi i tyre.

Aparatura e ultrazërit që është në shërbim të pacienteve në Kliniken e Radiologjisë, aspak nuk i përmbush kërkesat e një aparature me standarde bashkëkohore, tha për Radio Kosovën Serbeze Kabashi, drejtoreshë e kësaj klinike.

“Fluksi i pacientëve qe e frekuentojnë kliniken tonë brenda 24 orëve është mbi 350 pacientë. Konkretisht po ndalem për fluksin e pacienteve vetëm në ultrazë,vetëm në kujdestari mbram pas orës 1-një, pas orarit të punës kanë qenë 55 pacientë për ultrazë, të cilët trajtohen me një ultrazë më preformanca shumët të dobëta. Ndërsa, për këtë klinikë qe tri vite kemi bërë kërkesë për një ‘dupller’ i cili nuk funksionon”.

Ndërkaq Basri Sejdiu, ushtrues i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, tha se janë në dijeni se kjo klinikë ka vetëm një ultrazë, i cili kuptohet që nuk i plotëson kërkesat e pacientëve. Por, sipas tij, SHSKUK do të gjejë një zgjidhje për sigurimin e pajisjeve të reja.

“Janë ndarë mjete që shumë shpejtë do të realizohen në disa shërbime ku për shkak të pajisjeve ka ngecje në ofrimin e shërbimeve. Do të bëhet intervenim në rregullimin e tyre ose do të behet blerje e pajisjeve që aktualisht nuk kushtojnë mjaftë shumë. Ndërsa, sa i përket investimeve kapitale janë ndarë 50 milionë euro për pajisje mjekësore”.

Kabashi tha se kjo klinikë jo që nuk përmbush vetëm kërkesat e pacientëve jashtë spitalor, por edhe të atyre që trajtohen në klinikat e QKUK-së, si dhe rasteve emergjente, gjë që po e vështirëson punën e stafit si dhe përmbushjes së shërbimeve për pacientë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme