Kryeparlamentari fyen gazetaren Ramaj, reagon AGK

Kryeparlamentari fyen gazetaren Ramaj, reagon AGK

08 nëntor 2017 14:06

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pritur me shqetësim veprimin e sotëm të kryetarit të kuvendit, Kadri Veseli i cili ka fyer gazetaren e Kohës Ditore, Saranda Ramaj.

Ramaj ndihet e fyer nga akuzat që i ka bërë në drejtim të saj Kadri Veseli. Rasti ka ndodhur derisa gazetarja Ramaj ishte duke përcjell vizitën e kryeparlamentarit në QKUK, ndërsa pas një pyetjeje të saj, Veseli e akuzoi atë se kinse është politike.

“Duke ju referuar mënyrës së përgjigjes dhe konotacionit negativ, ne kërkojmë nga kryeparlamentari, gjithsecili politikan dhe udhëheqës shtetëror që të zgjedh forma më të mira të kundërshtimit sesa rrëshqitja në akuza të tilla që për qëllim kanë dëmtimin e imazhit të gazetarëve”, thuhet në reagim të AGK-së.

AGK konsideron se kryeparlamentari do të duhej të përgjigjej në mënyrë profesionale duke dhënë argumentet e nevojshme e jo të vepronte në këtë formë.

“Sot Kadri Veseli vizitoi QKUK-në. Pyetja ime ishte: Pse po e politizoni ndërtimin e Spitalit të Ferizajt kur paratë për këtë projekt janë zotuar dhe tenderi është shpallur në Qeverinë e kaluar? Veseli më akuzoi se jam gazetare e politizuar dhe se bëj pyetje me porosi. Pasi që z.Veseli nuk mu përgjigj në atë çka e pyeta, po e shfrytëzoj rrjetin social që me marr përgjigje. Pse po e politizoni ndërtimin e këtij spitali?”, ka shkruar ajo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme