Për liberalizim të vizave – kushtet, BE s’do ndryshim kufiri me Malin e Zi

Për liberalizim të vizave – kushtet, BE s’do ndryshim kufiri me Malin e Zi

08 nëntor 2017 12:35

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet në mënyrë që të ketë liberalizim të vizave.

Lebet tha se Bashkimi Evropian nuk dëshiron të ndryshohet demarkimi i kufirit me Malin e Zi.

Ai tha se kushtet që i janë vendosur Kosovës për liberalizim të vizave janë fer dhe se nuk do të ketë heqje të vizave pa i përmbushur këto kushte.

Këto komente kreu i ambasadës Zvicerane i bëri në prezantim të “Autoritetit Qeveritar për Migrim dhe Profilit të migrimit 2016”.

“Ne të gjithë e dimë që Kosova është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor, ku vizat janë të domosdoshme për të hyrë në zonën e Shengenit dhe në mënyrë që të largohet ky regjim i vizave Qeveria e Kosovës duhet t’i plotësoj këto kushte. Kushtet janë shumë fer, janë të pajtueshme, jo të pajtueshme, por këto janë të tilla. Nuk po e shoh një formë të tillë kështu të heqim regjimin e vizave pa i përmbushur këto kushte. Sikurse nuk dëshiron Mali i Zi që të ndryshojë demarkimi dhe as Bashkimi Evropian nuk dëshiron ta ndryshojë këtë”, tha ai.

Ambasadori i Zvicrës Lebet tha se si ambasadë lëshojnë 37 mijë viza në vit dhe kjo sipas tij është dhimbje për ta dhe për qytetarët që shkojnë aty për të kërkuar viza.

Sa i përket migrimit ai tha se institucionet e Kosovës kanë një përparim solid sa i përket menaxhimit të migrimit.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, tha se si institucione në drejtim të plotësimit të kritereve për liberalizim të vizave kanë ndërmarrë reforma të shumta legjislative.

“Republika e Kosovës në kuadër të agjendës për integrim në Bashkimin Evropian, por edhe në drejtim të plotësimit të kritereve për liberalizim të vizave ka ndërmarrë reforma të shumta legjislative, strategjike dhe institucionale në fushat që lidhen me menaxhim të migrimit, menaxhim të kufirit, sigurisë së dokumenteve, politikave të vizave dhe veprime të ngjajshme”, tha ministri.

Sefaj tha se migrimi si fenomen ka qenë dhe mbetet pjesë e rëndësishme e zhvillimeve shoqërore, politike dhe ekonomike për Republikën e Kosovës, sipas të cilit vet fakti që Kosova ka një numër të konsiderueshëm të diasporës në vendet evropiane nënvizon rëndësinë që diaspora ka në zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës.

Ministri Sefaj, tha se Kosova ka pasur progres në parandalimin e migrimit të parregullt.

“Republika e Kosovës siç dëshmojnë statistikat e publikuara në Eurostat ka bërë progres të madh në parandalimin e migrimit të parregullt falë angazhimeve institucionale për parandalim të këtij fenomeni përmes fushatave të ndryshme. Dhe fal angazhimit të policisë së Kosovës për luftimin e krimit të organizuar, në veçanti elementët që lidhen me kontrabandim me emigrantë. Në anën tjetër statistikat tregojnë që kemi rritje të migrimit të rregullt të kosovarëve në shtetet anëtare të BE-së, çfarë dëshmon që qytetarët kosovarë shfrytëzojnë rrugët e rregullta për emigrim çfarë kontribuojnë edhe në ekonominë e vendeve të destinimit”, tha ai.

Ai bëri të ditur se javën e kaluar ka emëruar koordinatorin nacional për migrim i cili do të merret me baza të rregullta të monitorimit të zbatimit të strategjisë dhe do të jetë shtyllë kryesore dhe drejtuese për Autoritetin Qeveritar për Migrim.

Kurse, bashkë-kryesuesja e Autoritetit Qeveritar për Migrim, Edona Baruti, prezantoi profilin e migrimit për vitin 2016.

“Migrimi i rregullt në tri vitet e fundit tregon trend të rritjes, sidomos imigrimi i të huajve për qëllime të punësimit në Kosovë. Por, edhe emigrimi i kosovarëve për qëllime të punësimit në shtetet anëtare të BE-së dhe zonë Shengen, posaçërisht në Gjermani. Megjithatë Kosova duhet të përcaktojë kuotën pranuese për qëllim të punësimit të të huajve dhe të lehtësojë integrimin e të huajve në Kosovë. Përderisa, me qëllim të menaxhimit të emigrimit të rregullt rekomandohen që Kosova të vazhdoj përpjekjet për të menaxhuar migrimin e parregullt dhe të lehtësoj migrimin e rregullt. Sa i përket migrimit të parregullt, migrimi i parregullt gjatë viti 2016 ka shënuar rritje krahasuar me vitin 2014 dhe 2015. Ndërsa, emigrimi i parregullt i shtetaseve kosovarë gjatë viteve 2016 ka shënuar rënie të konsiderueshme, krahasuar me dy vitet paraprake”, tha ajo.

Ajo tha se duke e pasur parasysh rritjen e trendit të emigrimit të parregullt rekomandon përditësimin në baza të rregullta i planit për menaxhimin e fluksit të mundshëm emigrant. Projekti “Fuqizimi i Autoritetit për Menaxhimin e Migrimit në Kosovë”, financohet nga Sekretariati shtetëror Zviceran për migrim, nëpërmjet Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë dhe zbatohet nga ICMPD në partneritet me Universitetin e Maastricht.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme