Franca vazhdon mbështetjen, kërkon nga Kosova vëmendjen për ndërmarrësit e saj

Franca vazhdon mbështetjen, kërkon nga Kosova vëmendjen për ndërmarrësit e saj

08 nëntor 2017 11:50

“Ejani në Kosovë, në vendin e një rinie të mrekullueshme, por që ka nevojë për shpresë, në vendin që tradicionalisht, në arsimin e vet, në kulturën e vet ka qenë i orientuar nga Franca. Fjalët e Presidentit Macron për integrimin e Ballkanit Perëndimor kanë qenë shpresëdhënëse për ne”.

Kështu i ka thënë ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ministres për Çështje Europiane në Ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme, znj Nathalie Loiseau, në takimin e tyre në Quai d’Orsay.

Sipas njoftimit për media nga kjo vizitë e ky takim, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, kërkoi nga ministrja franceze shtimin e pranisë së ekonomisë franceze në sektorin minerar, energjetik dhe në veçanti në bujqësi. “Unë personalisht kam nxitur ardhjen e një kompanie të madhe si Candia, në prodhimin e qumështit dhe nënprodukteve të tij”, tha ministri Pacolli, ftesë kjo që u vlerësua nga bashkëbiseduesja e tij.

Në vazhdim, ministri Pacolli e njohu ministren franceze me përpjekjet e Qeverisë së Kosovës, duke theksuar rolin zhbllokues të AKR-së, dhe më pas me perspektivën e integrimit ndërkombëtar të Kosovës, për të cilën kërkoi ndihmën e Francës. Po ashtu foli edhe për qasjen e Kosovës në dialogun me Serbinë.

Sipas kumteses nga MPJ, ministri Pacolli tha se Franca duhet të na ndihmojë për liberalizimin e vizave, në zgjerimin e njohjeve për shtetin e Kosovës, ku ka pasur rol kryesor, ashtu si dhe në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Nga ana e saj, ministrja Loiseau e vlerësoi krijimin e qeverisë së re të Kosovës dhe inkurajoi rol më të fortë të saj në integrimin europian, në përmbushjen e kushteve “që ndoshta ndonjëherë janë të ashpra, si pasojë e presionit populist në opinionet tona publike”, tha ministrja Loiseau.

Ajo, gjithashtu, kërkoi vëmendjen e Qeverisë për ndërmarrësit francezë, si dhe për zgjerimin dhe mbrojtjen e mësimdhënies së gjuhës frënge.

Franca do të jetë aleate e pamohueshme e Kosovës për integrimin europian, për dialogun me Serbinë, për njohjet e shtetësisë dhe në çdo proces tjetër përparimi, ka rikonfirmuar qëndrimin francez ministrja Loiseau përkitazi me Kosovën.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës Franca ka mbështetur fuqishëm zgjerimin e njohjeve të Kosovës, procesin e shtetndërtimit brenda për brenda, si dhe i ka dhënë përkrahje të madhe Kosovës në përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare shumëpalëshe, siç ishte edhe rasti i rolit vendimtar të Francës për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.

Franca dhe Kosova mbajnë një dialog të ngushtë si dhe koordinojnë e bashkërendojnë çështje të ndryshme, që përfshinë ato dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Partneriteti strategjik Kosovë-Francë përfshin, por nuk kufizohet vetëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ekonomisë si dhe atë të arsimit dhe kulturës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme