Arbëri

Serbia nuk e dashka Kosovën në organizatat ndërkombëtare, që ato “të mos politizohen”

Beograd, 8 nëntor - Serbia është e gatshme të nisë procedurat për të marrë statusin e anëtares me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF), ka thënë ministri i Jashtëm i saj, Ivica Daçiq, i cili s’ka mundur pa përmendur se Kosova është vëzhguese në te dhe se është kundër anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare, meqë Serbia “është kundër politizimit të tyre”, transmeton Koha.net raportimin e medieve të Beogradit.

Sipas FoNet-it, Daçiq derisa ka përmendur statusin e Kosovës në OIF, ka thënë se “nuk është qëllim, as dëshirë e Serbisë izolimi i kujtdo”, porse është kundër politizimit të punës së organizatave ndërkombëtare qoftë OIF, UNESCO dhe gjithë sistemi i OKB-së.

Jemi fuqimisht të përkushtuar për dialogun midis Beogradit e Prishtinës, që po zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së. Mbështesin që Prishtina të marrë pjesë në punën e nismave të shumta rajonale e ndërkombëtare, por me status neutral dhe në përputhje me Rezolutën e KS të OKB 1244, citohet të ketë thënë Daçiq, transmeton Koha.net.