Arbëri

Zemaj: Abrashin po e shohin qytetarët si kryetarin e tyre të ardhshëm

Armend Zemaj, deputet i LDK-së, i ftuar në Interaktiv të KTV-së, ka folur për zgjedhjet e fundit lokale dhe për garën për balotazh në komunat ku kjo parti gjendet.

Ai tha se partia e tij ka nisur bisedimet me qytetarë dhe u shpreh i bindur se, ndonëse partia e tij doli e para në këto zgjedhje, këtë rezultat vetëm sa do ta përforcojë në balotazh.

Zemaj u shpreh optimist se kandidati i LDK-së për Prishtinë, Arban Abrashi, do të jetë kryetari i ardhshëm i kryeqytetit në përballjen e tij të 19 nëntorit me kryetarin aktual, Shpend Ahmetin e Vetëvendosjes.

“Ajo çka shihet dhe çka është parë në kohën e fundit është se qytetarët e Prishtinës e kanë pritur një kandidat që do të jetë një kryetar i kryeqytetit që do të punojë për kryeqytetin, për qytetarët e saj, do ta bëjë Prishtinën të dashur për banorët, por edhe për të tjerët që do ta vizitojnë, do të jenë krenarë me të. Ajo që është dëshmuar në Prishtinë dhe sigurimi i gjithë atyre votave i atribuohen Arban Abrashit dhe filozofisë së trashëguar politike”, tha ai.

“Unë besoj fuqishëm se qytetarët e Prishtinës, dhe ata që kanë besuar për një kandidaturë tjetër e që nuk janë më në garë, janë të interesuar që të votojnë kandidatin tonë. Programi dhe premtimet e tij janë shumë të qarta. Nga ajo që shoh çdo ditë në çdo cep të Prishtinës, bashkë me Arbanin, shoh se ai do të jetë kryetar i ardhshëm i Prishtinës”, tha Zemaj.

Zemaj tha se LDK është e fokusuar në komunat ku është në balotazh, komuna të cilat mëton t’i fitojë, dhe nuk është duke u marrë me komunat ku nuk janë kualifikuar për balotazh.

Sipas tij, qendra e LDK-së ua ka lënë duart e lira strukturave të tyre nëpër komuna që të vendosin se kah dëshirojnë ta orientojnë votën e elektoratit të tyre në ato komuna ku nuk janë në balotazh.

Deputeti Zemaj tha se ofensiva e VV-së ndaj Abrashit si ministër i Punës po u kthehet si bumerang atyre pasi që, siç tha ai, Abrashi ka qenë ministri më punëtor në qeverinë e kaluar.

“Qytetarët po e shohin se Abrashi nuk merret me tema të mëdha, se çka thotë Brukseli, por merret me qytetarin dhe me problemet e tij”, tha Zemaj.