Ymeri: Me LDK-në kemi bashkëpunuar dhe bashkëpunojmë për disa çështje Foto: Koha / ilustrim

Ymeri: Me LDK-në kemi bashkëpunuar dhe bashkëpunojmë për disa çështje

07 nëntor 2017 20:14

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se partia që ai drejton në vazhdimësi ka shprehur një interesim për bashkëpunim me subjekte të ndryshme politike kur kanë hasur në pajtim.

Në një intervistë për REL-in, Ymeri thotë se në vitin 2014, LDK-ja tradhtoi koalicionin pas-zgjedhor VLAN dhe iu bashkua PDK-së në qeverisje, e më pas edhe AAK e Nisma për Kosovën më 2017 kur po ashtu iu bashkuan PDK-së për të qeverisur me vendin.

Radio Evropa e Lirë: Sa jeni në gjendje, si Vetëvendosje të bashkëpunoni dhe bashkëveproni me partinë tjetër opozitare, LDK-në?

Visar Ymeri: Po edhe në këtë pikë mendoj se përgjigja është e ngjashme varet edhe për çka dhe çfarë bashkëpunimi. Natyrisht, që ne e kemi shprehur në vazhdimësi një interesim për bashkëpunim kur jemi pajtuar me subjektet të ndryshme politike.

Ju e dini që në vitin 2014 kemi pasur një marrëveshje të përbashkët për krijimin e Qeverisë e cila bazohej në parimet udhërrëfyese të një Qeverie të re që do ta sillte ndryshimin me LDK-në AAK-në dhe Nismën.

Atëbotë, LDK-ja, ndërroi mendje dhe tradhtoi atë marrëveshje për të shkuar në marrëveshje koalicioni apo bashkëqeverisje me PDK-në me kryetar Hashim Thaçi në atë kohë.

Pastaj kemi pasur një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë me AAK-në dhe Nismën për Kosovë, si parti opozitare, në kohën kur protestonim kundër bashkësisë së komunave dhe në anën tjetër, kundër kësaj marrëveshje për Demarkacion. Konsideroj se Lëvizja Vetëvendosje, ka dëshmuar që nuk është problemi i mos bashkëpunimit. Në fakt problemi janë të tjerët, sepse të tjerët me kalimin e kohës po e ndërrojnë mendjen për bashkëpunimin me ne. Pra, po lëvizin nga një bashkëpunim parimor dhe për të mirën e Republikës në një bashkëqeverisje joparimore dhe për të mirën e tyre.

Kjo ka ndodhur së pari me LDK-në, tash ndodhi edhe me AAK-në dhe Nismën. Ne natyrisht që jemi të hapur që për çështjet të cilat pajtohemi e të cilat janë në interes të Republikë së Kosovës të bashkëpunojmë në këtë rast edhe me partinë opozitar që është Lidhja Demokratike e Kosovës.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme