“Asociacioni i komunave serbe rrezikoi përmbysjen e rendit kushtetues të Republikës” Foto: Ilustrim

“Asociacioni i komunave serbe rrezikoi përmbysjen e rendit kushtetues të Republikës”

07 nëntor 2017 20:02

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se duhet të ketë hetim parlamentar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se marrëveshjet e arritura në Bruksel qartazi po shihen se janë të dëmshme, e sidomos marrëveshja e fundit për bashkësinë e komunave me shumicë serbe, “e cila praktikisht rrezikoi ta përmbysë rendin kushtetues të Republikës”.

Radio Evropa Lirë: Ndërkohë, zoti Ymeri, ka shumë paralajmërime se edhe formati i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet në Bruksel, mund të pësojë ndryshime. A sheh Vetëvendosje ndonjë mundësi apo formë që të përfshihet në këtë proces, marrë parasysh thirrjen publike të Presidentit të Kosovës për një ekip gjithëpërfshirëse?

Visar Ymeri: Së pari, në asnjëherë nuk e kemi bërë një gjë që është shumë e rëndësishme për Republikën e Kosovës, dhe ajo është që ta kemi një diskutim institucional, shoqëror, në Kuvend, me shoqërinë civile, me ekspertët e vendit, me Akademinë e Shkencave dhe Arteve, me intelektualët e vendit, në mënyrë që të vlerësohet dialogu i deritashëm. Pra, si është zhvilluar? Çfarë na ka sjellë dhe ku është Kosova pas këtij dialogu si shtet i pavarur dhe sovran? Ne nga Lëvizja Vetëvendosje mendojmë se ky dialog ka prodhuar jashtëzakonisht shumë të këqija dhe rreziqe për Republikën e Kosovës, e që në fund kulmuan me marrëveshjen për themelimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, që praktikisht ishte një Republikë Serbe brenda Republikës së Kosovës.

Së dyti, duhet të bëhet një hetim parlamentar sesi është zhvilluar ky dialog në Bruksel gjatë këtyre viteve. Ju e dini që dialogu ka filluar në vitin 2011 dhe ka vazhduar intensivisht deri në vitin 2013 dhe pastaj me një intensitet pak më të ulur deri në vitin 2015 dhe institucionet e Republikës së Kosovës, deputetët e Kuvendit të Republikës, e aq më pak qytetarët e Republikës, nuk janë të njoftuar fare me atë se si është zhvilluar ky dialog, cilat kanë qenë pozicionet e Republikës së Kosovës karshi këtij dialogu dhe si erdhën deri te këto marrëveshje, të cilat qartazi po shihen se janë të dëmshme, po e përsëris prapë me marrëveshjen e fundit për bashkësinë e komunave me shumicë serbe, e cila praktikisht rrezikoi ta përmbysë rendin kushtetues të Republikës. Dhe në këtë drejtim, konsideroj që pa u bërë këto dy gjëra, nuk mund të flasim fare për çfarë dialogu dhe kur duhet të zhvillohet me Serbinë.

Në anën tjetër, Republika e Kosovës ka nevojë shumë të madhe për një dialog me dinamik e demokratik për zhvillim të brendshëm dhe në këtë drejtim konsideroj që duhet domosdoshmërish që institucionet qendrore të zhvillojnë dialog me qytetarët e vendit, dhe këtu veçanërisht me pakicat kombëtare që jetojnë në Kosovë, e mbase veçanërisht edhe me pakicën serbe që jeton në Kosovë, në mënyrë që të flasim për domosdonë e zhvillimit ekonomik dhe krijimit të mekanizmave për mirëqenie, ekonomike, sociale e barazi edhe sociale edhe para ligjit për qytetarët e Republikës. Mendojmë që kjo do të ishte rruga e integrimit të të gjithëve në shoqërinë kosovare, në mënyrë që ta kemi një shoqëri e cila edhe është dinamike, në anën tjetër është një bazament i qëndrueshëm për zhvillim të qëndrueshëm e mirëqenie në rritje për qytetarët.

Çfarëdo dialogu me Serbinë, deri tash është dëshmuar që më shumë e cenon Republikën e Kosovës dhe e dëmton funksionalizmin e saj, se sa që krijon ndonjë mjedis për integrim dhe jetë të përbashkët. Ndërkohë që Republika e Kosovës ka nevojë që qytetarët e saj të jetojnë bashkë, që qytetarët e saj të jenë të barabartë, dhe që qytetarët e saj të kenë vende pune, e që përmes këtyre vendeve pune të kenë mirëqenie edhe një pasuri të përgjithshme e cila ndahet në mënyrë të barabartë. Ne jemi absolutisht kundër kësaj mënyre të dialogimit me Serbinë, e veçanërisht jemi kundër edhe për shkak të mungesës së parimësisë në të edhe për shkak të temave të cilat diskutohen të cilat janë asimetrike.

Radio Evropa e Lirë: Kur flitet për raportet Kosovë – Serbi, aktualisht në Beograd Qeveria e atjeshme ka iniciuar një dialog të brendshëm rreth Kosovës. Sa shihni ju mundësi që Beogradi të ndryshojë pozicionin karshi shtetit të Kosovës?

Visar Ymeri: Po këtë duhet ta shohim, natyrisht që ky dialog tashmë ka nisur në Serbi dhe në këtë drejtim ende e kemi të paqartë se kah do të shkojë ky dialog dhe cilat janë interesimet ose interesat e palëve atje që cilat po zhvillojnë atë. Unë konsideroj që njohja e Republikës së Kosovës nga njohja e Republikës së Serbisë është edhe minimumi i domosdoshëm, por edhe njëkohësisht edhe çështje e cila nuk duhet të vonohet, sepse vetëm kështu krijohen kushte të mira mes dy vendeve. Pra parimi i fqinjësisë së mirë, i cili do të duhet të ishte parim i marrëdhënieve mes shteteve në rajonin ku gjendemi ne, pra në Ballkan, është i mundshëm vetëm pas njohjes reciproke. Pa njohje reciproke nuk ka fqinjësi, e rrjedhimisht nuk mund të ketë as fqinjësi të mirë.

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund t’i kthehemi edhe punës së Kuvendit. A prisni që gjatë këtij mandati, Kuvendi do të mund të tejkalojë një bllokadë të vazhdueshme të vendimmarrjes, kur vijnë në shprehje çështje që kërkojnë një shumicë prej dy të tretave të votave?

Visar Ymeri: Mendoj e se varet se edhe për cilat çështje po flasim. Ne e patëm një situatë, ku u arritën 2/3 e votave kur votuam për marrëveshjet për fondet IPA që Kosova i merr nga Bashkimi Evropian. Pra nuk është se Kuvendi ka qenë i bllokuar vazhdimisht dhe për secilën temë. Kuvendi ka qenë i bllokuar atëherë kur ne ishim ngritur në protestë për ta mbrojtur Republikën, gjë që u dëshmua pastaj edhe nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetues, e që besa që po dëshmohet për ditë me fate të reja karshi Marrëveshjes për demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Pra, në këtë drejtim konsideroj që varësisht se cilat çështje do t'i diskutojmë ashtu edhe Kuvendi do të jetë funksional.

Ne jemi jashtëzakonisht të interesuar që në Republikën e Kosovës në diskutimin edhe institucional edhe shoqëror të fokusohemi në dy çështje që janë edhe prioritet dhe shumë të ngutshme për Republikën e Kosovë, e ajo është së para të diskutojmë për atë ekonomi të zhvilluar që krijon vende pune për qytetarët e vendit, dhe në anën tjetër, të diskutojmë për atë gjyqësor të pavarur dhe autonom i cili krijon drejtësi të barabartë për qytetarët e vendit. Pra, këto dyja i kemi mungesë dhe pa këto dyja, si shtylla kryesore të shtetit nuk mund të ndërtojmë shtet. Në ndërkohë, që çështjet tjera që po na vinë vazhdimisht si prioritet nuk janë prioritet tona, janë prioritet të tjetër kujt, tema këto prej të cilave qytetarët e Republikës së Kosovës nuk kanë parë asnjë përfitim.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme