Arbëri

Ymeri: Të rinegociohet demarkacioni me Malin e Zi

Descriptive Text

“Mali i Zi nuk mund ta zbatojë njëanshëm Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit”, thotë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ymeri thekson se Demarkacioni është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm në të cilin duhet të ketë shumë kujdes, në mënyrë që vija kufitare të caktohet, duke mos dëmtuar asnjërën palë. Kurse për dialogun Kosovë- Serbi, Ymeri thotë se ky dialog ka prodhuar jashtëzakonisht shumë të këqija dhe rreziqe për Republikën e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ymeri, si e shini ju përmbylljen e procesit të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, nisur nga puna e Komisionit të ri shtetëror, i cili po përpiqet të sjellë fakte të reja rreth marrëveshjes së vitit 2015?

Visar Ymeri: Është shumë e qartë që kjo marrëveshje për demarkimin e vijës kufitare, që është nënshkruar në vitin 2015 ka qenë e dëmshme për Republikën e Kosovës edhe në njërën anë është tejkalim i mandatit që atëbotë ishte themeluar nga Qeveria, që ka pasur mandat për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit. Ndërkohë që në marrëveshje, ata kanë bërë një caktim të një kufiri të ri, e deri tek arroganca, shtyrja e kësaj marrëveshjeje nga Qeveria e kaluar dhe veçanërisht nga në atëbotë, ministri i Jashtëm, e tash president i Kosovës, Hashim Thaçi, duke cenuar kështu edhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, por edhe duke e dëmtuar rëndë edhe mirëqenien e qytetarëve dhe ekonominë e vendit përmes kësaj marrëveshjeje.

Natyrisht që kjo marrëveshje duhet që domosdo që në dritën e fakteve të reja, dhe në dritën e atyre fakteve që deri më tani janë prezantuar nga ekspertët e Republikës së Kosovës, por jo vetëm nga Republika e Kosovës, por edhe ekspertë nga Republika e Shqipërisë, që të rinegociohet me Malin e Zi, në mënyrë që kufiri të vendoset aty ku do të duhej të ishte, dhe që të mos cenohet integriteti territorial as i Republikës së Kosovës dhe as i Malit të Zi.

Radio Evropa e Lirë: Mali i Zi ka thënë se kjo çështje është e mbyllur, meqë ka ratifikuar këtë marrëveshje në Kuvend. Si mund të ri-negociohet?

Visar Ymeri: Mali i Zi nuk mund ta zbatojë marrëveshjen njëanshëm. Kjo është edhe një çështje që në marrëdhënie mes dy shteteve, sipas parimit të fqinjësisë së mirë duhet të ketë edhe reciprocitet, mirëkuptim e respekt për integritetin territorial të secilit vend. Në këtë drejtim, konsideroj se marrëveshja bëhet e pazbatueshme nëse nuk janë dakord dy palët. Republika e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës ,në dritën e fakteve të reja që do të paraqiten edhe nga Komisioni i themeluar së voni, do të duhej që të mos e vononin këtë marrëveshje dhe ta hedhin poshtë. Mendoj se themelimi ose ri-themelimi i një komisioni, me të njëjtën detyrë, por me një përbërje tjetër dhe i themeluar nga një Qeveri tjetër, do të duhej të nënkuptonte automatikisht edhe hedhjen poshtë të marrëveshjes sepse nuk ka kuptim që Komisioni i kaluar të shkarkohet, ndërkohë që rezultati i punës së tyre të pranohet.

Në këtë drejtim, konsideroj që edhe pse Mali i Zi e konsideron si të mbyllur këtë çështje, çështja nuk është e mbyllur nëse Kosova nuk e ka mbyllur sepse tek e fundit është marrëveshje mes dy shteteve dhe për këtë duhet të dakordohen të dy shtetet.

Radio Evropa e Lirë: Nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga Tirana zyrtare janë dhënë mesazhe të qarta për ratifikimin e Marrëveshjes aktuale të demarkacionit, në mënyrë që Kosova të përfitojë në procesin e liberalizimit të vizave. Si mund të dilet nga situata aktuale, kushtimisht thënë bllokuese?

Visar Ymeri: Së pari do të them që procesi i shënjimit të vijës kufitare, të caktimit të një vije të kufirit ndërkombëtar, në këtë rast në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, nuk do të duhej të ishte një çështje që këmbehet me ndonjë proces tjetër, e as që ka ndërlidhje me ndonjë proces tjetër. Ky është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm në të cilin ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, në mënyrë që kjo vijë kufitare të caktohet, duke mos dëmtuar asnjërën palë. Në këtë drejtim, konsideroj se kjo ndërlidhje të kësaj marrëveshje, pra ratifikimit të kësaj me procesin e liberalizimit të vizave, ka qenë e padrejtë dhe është një padrejtësi në të cilën ne duhet të punojmë që ta shmangim. Pra, duhet domosdoshmërish që të insistohet tek institucionet e Bashkimit Evropian, por edhe te vendet anëtare, në mënyrë që të shpjegohet që në njërën anë procesi i shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi do të bëhet në mënyrë paqësore. Pra, nuk është se kemi as interes, e as qëllim që t’i dëmtojmë marrëdhëniet me Malin e Zi.

Marrëdhëniet me Malin e Zi, si Republikë e Kosovës i kemi shumë të mira dhe do të vazhdojmë me të njëjtën. Mirëpo, e kemi një pjesë të kufirit, për të cilin aktualisht kemi mospajtim dhe të cilin do ta zgjidhim në mënyrë paqësore. Ndërkohë, që në anën tjetër, marrëdhëniet tona me institucionet e Bashkimit Evropian dhe e drejta për të lëvizur lirshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, duhet të jepet në bazë të kritereve të përdorura edhe në vendet tjetra.

Pra, ky standard i dyfishtë që është përdorur në këtë rast karshi Kosovës, është edhe i padrejtë dhe i papranueshëm dhe në anën tjetër po e vendos Kosovën në situatë jashtëzakonisht të vështirë.