Shoqëria civile dënon linçimin publik ndaj publicistit Veton Surroi

07 nëntor 2017 19:18

Një status në Facebook i publicistit Veton Surroi lidhur me ndërtimin e stadiumit nacional nxiti një varg fyerjesh e kërcënimesh ndaj tij.

“....dhe Teatri e opera në Skenderaj” kishte ironizuar Surroi rreth diskutimeve për ndërrim të lokacionit të stadiumit kombëtar nga Bërnica në Korroticë të Drenicës, raporton KTV.

Ish-gazetarja Arbana Xharra, tash pjesë e PDK-së, e quajti racist e primitiv Surroin.

Mjaftoi kjo dhe nisi ofensiva e sulmeve ndaj Surroit, i cili u kërcënua dhe u quajt tradhtar, në masë të madhe nga militantë të PDK-së.

Për shoqërinë civile, linçimi që i është bërë Surroit është akt që duhet dënuar.

Sipas Arianit Kocit, reagimet e tilla janë të papranueshme në një shoqëri të civilizuar. Ndërsa Besa Luzha thotë se duhet të kemi debate dhe argumente pa pasur nevojë të nxitet urrejtje.

Për gazetarët që edhe vetë janë ballafaquar me kërcënime, rastet e tilla janë të orkestruara dhe mund të përfundojnë me dhunë.

Parim Olluri nga gazeta online “Insajderi” thotë se këto raste dhe njerëzit e përfshirë duhet të hetohen nga autoritetet e drejtësisë.

KTV-ja, për dy ditë radhazi, ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, por zyrtarë të saj nuk i janë përgjigjur interesimit të Kohavisionit.

Kohavisioni ka tentuar të flasë edhe me Arbana Xharrën, tash këshilltare e Kadri Veselit, e cila kohë më parë ankohej edhe vetë për linçimin publik, por ajo nuk është përgjigjur.

Ndërsa Veton Surroi këto kërcënime të orkestruara nga militantët e një subjekti politik i ka analizuar në një kolumne të tij, ku ndër të tjera thotë se në vend që mendimi i lirë, qoftë edhe me ironi, të nxisë debat racional dhe një arsyetim legjitim se ku duhet ndërtuar, qoftë Stadiumi qoftë Teatri dhe Opera, e gjithë energjia u koncentrua në identifikimin e armikut të popullit dhe linçimin e tij.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Agim Krasniqi08/11/2017 11:02

Duhet then hapur se SHIK-u e drejton Kosoven.Kush eshte fajtor per nje gjsdje te til?Vet pupulli.Kjo gjendje tregon se sa jemi egoista,rrjefhimisht edhe konformista.

Shto koment

Të ngjashme