Kuvendi pritet të miratojë një rezolutë të re për bisedimet me Serbinë

07 nëntor 2017 19:12

Kanë kaluar dy vjet që kur në Kuvendin e Kosovës më nuk ka pasur raportim për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, e as për marrëveshjet e arritura atje.

Ende vazhdon të jetë në fuqi rezoluta e miratuar në fillimin e këtij viti, përmes së cilës ishte pezulluar procesi i dialogut me Serbinë, derisa është kërkuar miratimi i një rezolute të re në Kuvend, raporton KTV.

Për të ngritur nivelin e mbikëqyrjes së dialogut nga Kuvendi, Komisioni për Punë të Jashtme në krye me Vjosa Osmanin, në bashkëpunim me KDI-në, kanë mbledhur kryetarët e të gjitha komisioneve parlamentare të Kuvendit.

Aty u tha se i gjithë procesi deri tash ka qenë jotransparent, derisa kanë shprehur shqetësim edhe për faktin sesi presidenti po vendos se kush do të vazhdojë dialogun.

Kryetarja e Komisionit për legjislacion, Albulena Haxhiu, derisa ka folur për Marrëveshjen për Drejtësinë, ka thënë se kryetari i Gjykatës Themelore në veri, Nikolla Kabashiq, është i afërm i Oliver Ivanoviqit dhe dyshohet se ka qenë i përfshirë në masakra.

Një ditë më herët u bënë publike dokumentet se gjyqtarët dhe prokurorët serbë nuk ishin betuar njëjtë sikurse gjyqtarët e prokurorët tjerë dhe se ata kishin nënshkruar deklaratën, ku në asnjë vend nuk ishin përmendur Republika dhe Kushtetuta e Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme