Tahiri mohon ta ketë pezulluar vendimin për Komisionin e Jurisprudencës

07 nëntor 2017 19:06

Një ditë para se Komisioni për Mandate i Kuvendit të Kosovës të diskutonte propozimin e ministrit të Drejtësisë që Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, të vihej në krye të Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, vetë Abelard Tahiri e ka pezulluar atë.

Në një prononcim për Kohavisionin, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se meqenëse nuk kanë përfunduar ende hetimet dhe propozimi i tij ka hyrë në agjendën e komisionit për mandate, e ka pezulluar vendimin e tij, raporton KTV.

Megjithëse ministri Tahiri premtoi një intervistë për KTV-në më vonë e anuloi atë, për shkak të agjendës se ngjeshur. Ai gjithashtu e mohoi atë që e kishte thënë më parë se e ka pezulluar vendimin për Komisionin e Jurisprudencës, në krye të të cilit kishte përzgjedhur kryeprokurorin Lumezi.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion dhe Mandate, Albulena Haxhiu, ka thënë se kërkesa është bërë në atë formë që barra e gjithë kësaj t’i bie Kuvendit. Për më tepër ajo thotë se kërkesa proceduralisht nuk është në rregull, pasi një gjë të tillë duhet ta bëjë qeveria, e jo sekretariati i saj.

Ministri, në anën tjetër, nuk ka treguar se sa kohë do të zgjasë pezullimi apo tërheqja e vendimit të tij, por ka bërë të ditur se e ka një limit kohor para se të marrë një vendim për ndërrimin ose jo të emrit të Lumezit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme