Arbëri

FOL: Ligji aktual nuk mbron sinjalizuesit

Lëvizja FOL në kuadër të projektit “Reforma Ligjore kundër korrupsion”, ka organizuar sot diskutimin lidhur me Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve në Kosovë.

Panelistë në këtë diskutim ishin: Avokati i Popullit Hilmi Jashari, kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, drejtori i Departamentit për Parandalimin e Korrupsionit në AKK, Afrim Atashi.

Gresa Smolica nga Lëvizja FOL, siç transmeton RTK, prezantoi gjeturjet dhe rekomandimet e raportit të FOL-it, lidhur me Ligjin aktual për Mbrojtjen e Informatorëve. "Nga raporti i Lëvizjes FOL lidhur me Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve, vërehet domosdoshmëria për mbrojtjen e sinjalizueseve, si persona të cilët zbulojnë keqpërdorimet në vendin e tyre të punës.

Duke u konsideruar si proces mjaft i ndërlikuar, sinjalizuesve duhet tu ofrohet mbrojtje ligjore për të shmangur rastet e hakmarrjes apo diskriminimit për shkak të informatës së zbuluar, tha Smolica, duke shtuar se bazuar edhe në rekomandimet e Këshillit të Evropës, FOL ka parë të nevojshme përfshirjen e Avokatit të Popullit dhe Agjencisë Kundër Korrupsion në procesin e definimit të statusit të tyre.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu tha se ka shumë nevojë që ky ligj të amandamentohet, ngase ligji aktual ka shumë zbrazëtira. “Ligji ka kundërthënie të neneve mes vete. Unë mendoj që është më mirë që ky raport të adresohet në Komisionin për Legjislacion pasi që është shumë i vlefshëm dhe si i tillë mund të procedohet si projektligj, ngase përmes ministrisë mund të marrë më shumë kohë”, tha Haxhiu, e cila shtoi se sipas saj, në shumë institucione të punësuarit as që nuk kanë dëgjuar për këtë Ligj.

Avokati i Popullit z.Hilmi Jashari, deklaroi se Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve bie ndesh dhe ka shumë kohezion edhe me ligje tjera siç është edhe Ligji për Shërbyesit Civil. “Duhet të bëhet një harmonizim i të gjitha ligjeve ose të bëhet kodifikimi i së drejtës”, tha Jashari.

Ndërkaq Drejtori i Departamentit për Parandalimin e Korrupsionit në Agjencinë Kundër Korrupsion z.Afrim Atashi, tha se Ligji aktual ka shumë pak nene mirëpo edhe ato që janë nuk po zbatohen. “Është e pamundshme që me bazën ligjore që e ka AKK si dhe me kapacitetet e saj ta ketë barrën për të pranuar informata nga informatorët”, tha Atashi.

Murat Mehmeti, inspektor hetues në ATK, tregoi për arsyet se pse ai ka vendos që të sinjalizoj për keqpërdorimet në ATK si dhe sfidat me të cilat ai është përballë në vendin e punës.

Ndër rekomandimet tjera të paraqitura në këtë raport, përfshihet ndryshimi i emrit të ligjit konkretisht të quhet Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, definimi i statusit të sinjalizuesve dhe vlefshmëria e mbrojtjes ligjore për sinjalizimet në të mirë të interesit publik dhe përcaktimi i procesit 3-shkallësh të sinjalizimit ku përfshihet sinjalizimi i brendshëm, sinjalizimi pranë Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Agjencisë Kundër Korrupsion si dhe sinjalizimi i jashtëm.