Ministri Hasani thotë se s’do të ketë rritje të çmimit të bukës

Ministri Hasani thotë se s’do të ketë rritje të çmimit të bukës

07 nëntor 2017 14:51

Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik ka kërkuar sot nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë përse nuk kanë marrë masa doganore edhe ndaj importit të grurit nga Serbia, si dhe kërkuan garanci se nuk do të ketë ngritje të çmimit të bukës me vendimin e fundit për masat prej 4 cent për miellin që importohet nga Serbia.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik, ka garantuar se nuk do të ketë ngritje të çmimit të miellit dhe bukës me vendimin për masat prej katër cent ndaj importit të miellit nga Serbia, raporton KP.

Ai theksoi se po të kishte masa doganore edhe për grurin e importuar nga Serbia do të kishte ngritje të çmimit të bukës dhe se për masat ndaj miellit ka pasur reagime nga autoritetet serbe dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi, që sipas tij, ndoshta po i prek në xhep.

“Me ligjin Antidamping lejohet të merret një masë e tillë, kemi marrë një çmim minimal prej katër cent, natyrisht se para se me vendos kemi ftuar shoqatën e mullisëve dhe kemi kërkuar zotim prej tyre se nuk do të ketë ngritje të çmimit. Në vendim e kam lënë një mundësi që kjo çështje të ndiqet sa i përket lëvizjes të çmimit. Natyrisht që nuk guxojmë të marrim masë edhe ndaj grurit për shkak se mund të rritet çmimi i bukës. Përveç që na ka reaguar ministri serb, kemi pasur edhe deputet të Kuvendit të Kosovës që kanë reaguar për këtë masë (për miellin), dikujt ndoshta po i prek në xhep, mirëpo ne jemi të vendosur që t’i marrim të gjitha veprimet që mbështet prodhimin vendor dhe që është në interes të vendit”, theksoi Hasani.

Ai gjatë raportimit në Komision ka thënë se prioritet i MTI-së është përkrahja e bizneseve dhe ndërmarrjeve për zhvillimin e tyre.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme