Arbëri

Thaçi: Me integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, Kosova mbylli një etapë të rëndësishme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka komentuar nisjen e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës nga komuniteti jo shumicë në pjesën veriore të vendit.

Sipas Thaçit, me integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës është mbyllur një etapë e rëndësishme e vendit.

“Sot, zyrtarisht, kanë nisur punën gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës së Kosovës nga komuniteti jo shumicë në pjesën veriore të vendit. Me veprime afirmative, ne kemi siguruar që gjykatat dhe prokuroritë të pasqyrojnë përbërjen etnike.Kurse, me integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komuniteti joshumicë në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Republikës së Kosovës, ne e kemi mbyllur një etapë shumë të rëndësishme për vendin tonë - shtrirjen e ligjshmërisë në tërë territorin dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ai në fund ka shtuar se Kosova “po forcohet mbi parimet kushtetuese, të gjithëpërfshirjes, të barazisë dhe të lirisë së çdo individi, ku çdokush mund të realizojë vetveten dhe të kërkojë lumturinë pa iu cenuar asnjëherë e drejta që të jetë pjesë e shoqërisë sonë”.

Ditë më parë, Presidenca njoftoi zyrtarisht se gjyqtarët dhe prokurorët ishin betuar para tij me simbole të Kosovës, ndërsa kjo ishte mohuar prej kryeministres serbe Ana Bërnabiq.