Arbëri

Zbatimi i kurrikulës së re përballet me vështirësi në implementim

Zbatimi i kurrikulës së re, e cila ka filluar të zbatohet ketë vit, po përballet me shumë vështirësi në implementimin e saj në shumë shkolla të Kosovës. Për moszbatim të kurrikulës problem po paraqesin tekstet e vjetra, të cilat nuk po përshtaten me kurrikulën e re. Për t’u përballur me sfidën e kurrikulës së re, Ministria e Arsimit e Kosovës po llogarit edhe në ndihmën e Shqipërisë.

Shumë shkolla dhe mësimdhënës po përballen me vështirësi të mëdha për zbatimin e kurrikulës se re. Njëra ndër to është Shkolla fillore e mesme e ulët ”Abdullah Shabani“, në Mitrovicë, transmeton televizioni publik.

Koordinatorja e kësaj shkolle për kurrikulën e re dhe njëkohësisht mësimdhënëse në këtë shkollë, Nafije Rexha, tregon se njëra ndër vështirësitë që po paraqet zbatimi i kurrikulës është mungesa e teksteve.

“ Kurrikula ka filluar me vështirësi të shumta, se është e vërtetë që materialet nuk janë efektive, nuk janë karshi kurrilulës tekstet e vjetra. Përderisa tash kurrikula për parime e ka autonominë dhe fleksibilitetin, mësimdhënësi është i lirë të zgjedhë çfarë do materiali që i duhet. Nëse nuk i duket materiali adekuat, ka të drejtë të zgjedhë çfarë do materiali që do”, tregon Rexha.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, theksoi se ministria është duke e përcjellë zbatimin e kurrikulës , dhe është në dijeni për vështirësitë e zbatimit të kurrikulës nëpër shkolla.

“ E dimë dobësinë e teksteve, vërtet nuk i kemi tekstet në nivelin e duhur. Dhe ne do të bëjmë përpjekje që këto tekste të ndryshohen, të ndryshohen dhe të përshtatën me kurrikulat që janë në zbatim. Do të shohim të gjejmë një modalitet që të kemi një bashkëpunim në çështjen e teksteve, që tekstet t’i përshtatën kurrikulës, dhe këto tekste të jenë në përputhje me standardet e cilësisë së arsimit që ne po kërkojmë të jenë pjesë e arsimit para universitar”, theksoi Bytyqi.

Për të lehtësuar procesin e aplikimit të kurrikulës së re, Ministria e Arsimit e Kosovës po llogarit edhe në ndihmën e Shqipërisë. Të dy ministritë përkatëse planifikojnë të formojnë grupe punuese, në mënyrë që të gjejnë një formë të përshtatjes së teksteve me kurrikulën e re.