Arbëri

Hapet Konventa e parë e veshmbathjeve të Kosovës

USAID EMPOWER Sektori Privat dhe Shoqata Kosovare për Marketing të Veshmbathjeve (KAMA) organizojnë Konventën e parë të Veshmbathjeve të Kosovës për të avancuar zhvillimin dhe rritjen e industrisë së veshmbathjeve në Kosovë.

Kjo ngjarje do të ofrojë një platformë rrjetëzimi për prodhuesit e veshmbathjeve të Kosovës, agjencitë qeveritare, donatorët, blerësit ndërkombëtarë, dhe të gjithë akterët relevantë të industrisë së veshmbathjeve.

Pjesë e Konventës do të jenë forume të industrisë ku ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë do të prezantojnë në tema kyçe të industrisë së veshmbathjeve. Konventa gjithashtu do të përmbajë një ekspozitë të veshmbathjeve të prodhuara në Kosovë nga 22 kompani, takime në mes bizneseve, një sfilatë të veshmbathjeve të prodhuara në Kosovë, garën studentore për dizajn, ku studentët që vijojnë studimet në dizajn të modës do të prezantojnë dizajnet e tyre, dhe një ceremoni ku do të ndahen çmimet për fituesit e garës për dizajnin më të mirë.

Projekti pesëvjeçar i USAID-it, EMPOWER Sektori Privat, i cili financohet edhe nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, është angazhuar që nga korriku i vitit 2014 për të stimuluar krijimin e vendeve të punës në shkallë të lartë, duke e ngritur aftësinë konkurruese të firmave kosovare në sektorët e gatshëm për zhvillim të veshmbathjeve, përpunimit të drurit, TIK-ut, energjisë së ripërtëritshme, turizmit dhe përpunimit të metaleve. Deri më sot, ky projekt ka krijuar mbi 2400 vende të reja të punës në mbarë Kosovën, me plane për t’i krijuar gjithsej 5000 vende të reja të punës deri në korrik të vitit 2019.

Të pranishëm në hapjen e kësaj konvente do të jenë ushtruesja e detyrës së Drejtorit të Misionit të USAID Lisa Magno, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, dhe Zëvendës-shefi i misionit nga Ambasada Suedeze Goran Paulson.