Arbëri

Komunat e rajonit të Prizrenit dështojnë në arkëtimin e tatimit në pronë

Komunat e rajonit jugor të Kosovës në nëntë mujorin e këtij viti kanë arkëtuar më pak të hyra nga tatimi në pronë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, trend ky i vlefshëm për shumicën dërmuese të komunave të Kosovës.

Ndonëse Ligji për falje borxhesh është zbatuar deri më 1 shtator të këtij viti, një gjë e tillë nuk ka ndikuar te komunat e kësaj ane që të arrijnë përqindjen e arkëtimit sikur në nëntëmujorin e vitit të kaluar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ministria e Financave ka bërë të ditur se “të hyrat vetjake tatimore komunale (ku përfshihen të gjitha komunat e Kosovës v.j.), në nëntëmujorin e vitit 2017 kanë shënuar një rënie prej 14 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2016”. Raporti nëntëmujor financiar i kësaj ministrie tregon se Komuna e Malishevës dhe ajo e Mamushës kanë rënie më të madhe të përqindjes së arkëtimit të tatimit në pronë në krahasim me vitin e kaluar, të ndjekura nga komunat: Suharekë, Rahovec, Prizren dhe Dragash.

Në raportin e MF-së për periudhën janar-shtator 2017, te tabela për arkëtimin e të hyrave të tatimit në pronë shkruan se Komuna e Malishevës ka arkëtuar 0.17 milion euro, derisa në nëntëmujorin e vitit 2016 kishte arkëtuar 0.25 milion euro, me ç’rast ndryshimi është minus 33 për qind.

Komuna e Mamushës për nëntë muaj ka arkëtuar 0.01 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte arkëtuar 0.02 milionë euro. Ndryshimi sipas raportit të MF-së është minus 25 për qind. Ndërkaq Komuna e Suharekës në këtë periudhë ka arkëtuar 0.44 milionë euro, ndërkohë që vjet për nëntë muaj kishte arkëtuar 0.57 milionë euro dhe ndryshimi është minus 23 për qind.

Komuna e Rahovecit në nëntëmujorin e vitit 2017 ka arkëtuar 0.25 milionë euro, derisa vjet në këtë periudhë raportuese kishte arkëtuar 0.31 milionë euro. Ndryshimi sipas MF-së është minus 19 për qind.

Komuna e Prizrenit për nëntë muaj ka arkëtuar 1.65 milionë euro, derisa vjet në të njëjtën periudhë kishte arkëtuar 1.78 milionë, ku ndryshimi i llogaritur nga MF-ja del të jetë minus 7.3 për qind.

Komuna e Dragashit në nëntëmujorin e këtij viti ka arkëtuar 0.17 milionë euro, kurse vjet për nëntë muaj kishte arkëtuar 0.18 milionë dhe ndryshimi sipas MF-së është minus 2 për qind.

Në raportin e vet, Ministria e Financave ka sqaruar se këtu përfshihet edhe arkëtimi i borxheve bazuar në Ligjin për falje borxhesh, që ka nisur të aplikohet nga viti 2016. “Prandaj, nuk mund të konkludohet se sa është në fakt pjesa e të hyrave që është vetëm nga tatimi në pronë për këtë vit”, shkruan në raportin financiar.

Në të gjitha Komunat e rajonit jugor të Kosovës Zyra Kombëtare e Auditimit pati identifikuar dobësi në lidhje me të hyrat nga tatimi në pronë. Në raportet e ndara të Audimit për këto komuna, ZKA-ja muaj më parë pati bërë të ditur se te llogaritë e arkëtueshme pjesën kryesore të borxheve ndaj komunave e përbënë tatimi në pronë. Sipas Auditorit borxhet totale ndaj Komunës së Prizrenit në fund të vitit 2016 ishin afro 15.57 milionë euro, ku “borxhi kryesor mbetet arkëtimi i tatimit në pronë në vlerë prej 6.81 milionë euro”.

Në Komunën e Suharekës sipas ZKA-së borxhet totale të akumuluara nëpër vite për tatimin në pronë ishin 2.14 milionë euro.

Në Rahovec llogaritë e arkëtueshme në fund të vitit 2016 kanë qenë 2.07 milionë euro, ku tatimi në pronë merrte pjesë me 1.19 milionë euro.

Ndërsa në Komunën e Malishevës llogaritë e arkëtueshme në fund të vitit 2016 kanë qenë 1.84 milionë euro, me tatimin në pronë në shumën prej 1.02 milionë eurosh.

Komuna e Dragashit në fund të vitit 2016 ka raportuar llogari të arkëtueshme në vlerën prej 1.76 milionë euro, ku pjesën më të madhe e përbën tatimi në pronë me 906 mijë euro.

Mamusha si llogari të arkëtueshme në fund të vitit 2016 ka raportuar vlerën prej 118 mijë euro, prej tyre, nga tatimi në pronë kanë qenë 84 mijë euro.

Krahas mosarkëtimit të borxheve nga tatimi në pronë, Auditori ka gjetur se të 6 komunat e rajonit jugor të Kosovës nuk kanë arritur që të kryenin verifikimin e një të tretës (1/3) së pronave të paluajtshme siç kërkohet me legjislacion. Sipas ZKA kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së zyrtarëve anketues në terren për verifikim të pronave. Auditori pati rekomanduar lidershipin e komunave të rajonit jugor që të sigurojnë një rishikim të sistemeve ekzistuese për të konfirmuar nëse mekanizmat e vendosur për mbledhjen e të hyrave janë adekuate dhe mund të funksionojnë në mënyrë efektive.