Arbëri

Gjukaj: KEK-u gati për furnizim me energji elektrike për sezonin dimëror

Drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj, deklaroi se edhe pse termocentralet e Kosovës janë të stërvjetruara, KEK-u i ka bërë të gjitha përgatitjet për të pasur një furnizim të mirë me energji elektrike për konsumatorët e Kosovës.

“KEK-u i ka bërë të gjitha përgatitjet për sezonin dimëror. Jemi në fazën e fundit të testimi që të kemi gjenerim të energjisë për dimër”, tha ai në një intervistë për televizionin publik.

Sipas tij, KEK-u ka pasur rekord për prodhimin e energjisë elektrike. Ai ka bërë me dije se një problem që po ndeshet KEK-u ka të bëj me pjesët rezervë që lidhen me defektet.

“Ka problem se nuk prodhohen ato pjesë, pasi që janë blloqe më të vjetra”, tha ai.

Gjukaj tha se prodhimi i energjisë elektrike është shumë kompleks. Zgjidhja për Kosovën që të mos ketë problem me furnizim me energji elektronike, sipas Gjukajt është ndërtimi i termocentralit të ri.

“Jemi vonuar pak, ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”, është zgjidhja për Kosovën. Fati i “Kosovës A”, lidhet me ndërtimin e termocentralit të ri”, tha ai.