Arbëri

Bulliqi: Kemi prova se Kosova ka humbur tokë nga demarkacioni

Descriptive Text

Kryetari i komisionit për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se kanë mbledhur prova të mjaftueshme që dëshmojnë se Kosova ka humbur territor me versionin aktual të demarkacionit.

Sipas tij, dëshmitë e siguruara tregojnë se ky proces është bërë gabim nga komisioni i kaluar.

Vizita zyrtare që kanë bërë në Kroaci dhe Slloveni, po shihet si jetike nga kryetari dhe anëtar e tjerë të Komisionit të ri për demarkacionin e të cilët janë të bindur se kanë gjetur dëshmi dhe materiale të tjera relevante se Kosova ka humbur territor nga përcaktimi i vijës kufitare me Malin e Zi.

Shpejtim Bulliqi, kryetar i këtij komisioni, në një intervistë për televizionin publik, nuk është lëshuar në detaje se për çfarë dëshmi bëhet fjalë, por ka vlerësuar se ato çfarë kanë siguruara dëshmojnë se shënjimi i vijës kufitare nga komisioni i kaluar është bërë gabim. Madje ka shprehur habinë se si ish-anëtarët e komisionit nuk kërkuan këto fakte e dëshmi, sipas tij nga dy vendet mike të Kosovës, si Kroacia e Sllovenia.

Puna e komisionit të ri, sipas Bulliqit, është fokusuar në tri segmente e që e para ka të bëje me të drejtën ndërkombëtare të delimitimeve dhe demarkimeve, e dyta puna në terren dhe e fundit hulumtimi i materialeve faktografike.

Bulliqi thotë se përveç materialeve faktografike që tashmë i posedojnë edhe nga puna në terren kanë parë se vija administrative ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është bërë gabim.

Nëse gjithçka shkon mirë, sipas tij, faktet, provat e materiale të tjera që dëshmojnë se kufiri është bërë gabim, do t`i dorëzohen qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit diku në fund të këtij muaji.

Kryeministri i vendi Ramush Haradinaj vazhdimisht insiston se shënjimi i kufirit me Malin e Zi është bërë gabim dhe se versioni aktual si i tillë duhet të bie.

Ndërkohë është presidenti Hashim Thaçi që po kërkon me ngulm që kjo çështje të kryhet në Kuvendin e Kosovës duke thënë se ekspertizat akademike, duke aluduar në komision aktual, nuk mund të rrënohen nga ato të SHBA-së dhe NATO-s.