Arbëri

LDK kërkon qartësim nga Haradinaj për liberalizimin, VV sheh ‘zbutje’ të Haradinajt për demarkacionin

Javë e ngarkuar me deklarata për e kundër demarkacionit ka qenë kjo që po e lëmë pas.

Presidenti e kryeministri kanë vazhduar përplasjen verbale rreth demarkacionit, ndërsa zëvendësi i Haradinajt, Behgjet Pacolli, ka përsëritur se për Malin e Zi kjo temë është e mbyllur, ani pse shefi i tij në Qeveri nuk pajtohet me këtë fakt, raporton KTV.

Edhe këtë të shtunë, kryeministri ka përsëritur se tema e demarkacionit mund të përfundojë në arbitrazh. Sipas tij, versioni është i gabuar dhe për këtë nuk ka votë në Kuvend.

I pari i Qeverisë ka premtuar lajme të mira deri në fundin e 2017-ës rreth liberalizimit.

Ndërkohë, LDK-ja ka kërkuar qartësim të deklaratave kundërthënëse të krerëve institucionalë derisa për Vetëvendosjen kryeministri ka zbutur deklaratat rreth demarkacionit.

Por, partneri i koalicionit, Nisma thotë se qëndrimet nuk ndryshojnë e marrëveshja si e tillë nuk do të kalojë.

Ndërkohë, anëtarë të Komisionit për Integrime si dhe ata të Komisionit për Punë të Jashtme, kanë deklaruar se shpejt para këtyre komisioneve do të jenë për raportim anëtarët e Komisionit të ri për Demarkacion në krye me Shpejtim Bulliqin.