Serbia ngul këmbë në politikën e “dy karrigeve”

Serbia ngul këmbë në politikën e “dy karrigeve”

03 nëntor 2017 22:04

Serbia thotë se do të vazhdojë politikën e saj të ecjes ndërmjet Rusisë dhe perëndimit, duke vënë në rend të parë interesin e saj.

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, në një intervistë me agjencinë e lajmeve Reuters, ritheksoi këtë qëndrim duke ju referuar deklaratave të diplomatit amerikan Hoyt Brian Yee, i cili paralajmëroi Beogradin "se nuk mund të qëndrojë i ulur në dy karrige".

"Kur dikush na kërkon të mos ulemi në dy karrige, atëherë ai po përpiqet të na heqë karrigen...që ne të rrëzohemi. Për këtë arsye mendoj se nuk duhet t'i kushtojmë vëmendje kësaj kritike. Është me rënësi që t'i përmbahemi interesit tonë kombëtar", tha ai.

Shumë serbë e shohin veten viktimë të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 që çuan në çlirimin e Kosovës, ndërsa Beogradi vazhdon të ruajë lidhjet emocionale e kulturore me Moskën, posaçërisht edhe për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se me diplomatin amerikan Hoyt Brian Yee kishte zhvilluar një takim "jo të këndshëm", ku temat kryesore ishin Kosova dhe Rusia.

"Ai (Hoyt Brian Yee) më tha se nuk mund të prekni tërësinë tokësore të Kosovës, ndërsa unë i thashë, ju keni mundur të prekni tërësinë e Serbisë nëntë vjet më parë. Atëherë vlenin rregulla të tjera. Këtë ia thashë në fytyrë. Ai mua ma bëri të ditur, tha të kam përcjellë mesazhin e Amerikës. Duhet ta respektosh, nëse nuk e bën... dihen pasojat...", tha presidenti serb.

Ndërsa ministri i jashtëm serb duke i bërë një krahasim çështjes së Kosovës dhe asaj të Katalonjës në Spanjë, tha se "nëse Spanja mund të luftojë për konceptin e saj, atëherë edhe serbët mund të luftojnë për vendin e tyre".

Derisa synon integrimin në Bashkimin Evropian, Serbia ka refuzuar t'u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Zyrtarë të ministrisë së Jashtme të Serbisë madje paralajmëruan masa ndaj ambasadorit ukrainas në Beograd, Oleksandr Aleksandrovych, i cili në një intervistë me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, tha se "Rusia po e shfrytëzon Serbinë për të destabilizuar Ballkanin dhe për të shkatërruar Evropën".

Sekretari shtetëror në ministrin e Jashtme serbe, Ivica Tonçev, e akuzoi atë për "sjellje jo diplomatike" dhe përpjekje për të dëmtuar marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë. Ai tha që nëse vazhdojnë veprimet e tilla, Serbia do të jetë e detyruar të "marrë masa".

Zhvillimet politike në Evropën Juglindore gjatë vitit të fundit nxitën shqetësime në rritje për paqëndrueshmërinë e rajonit dhe ndërhyrjen e Rusisë e cila nuk i sheh më sy të mirë integrimet euroatlantike të vendeve të Ballkanit.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim edhe për një qendër të emergjencave që Rusia menaxhon në qytetin e Nishit në Serbinë jugore. Disa grupe perëndimore dhe analistë ushtarakë e shohin si një bazë ushtarake të kamufluar që Kremlini e ka ngritur për të mbikëqyrur interesat amerikane në Ballkan.

Qendra ruse që u hap fillimisht në vitin 2012, gjendet relativisht pranë forcës paqeruajtëse prej 4 mijë trupash në Kosovë. Pjesë e forcave ndërkombëtare në Kosovë janë edhe 600 ushtarë amerikanë.

Moska kërkon që personelit të saj t'i jepet imunitet diplomatik, ndërsa mohon çfarëdo veprimtarie të saj përveç trajtimit të emergjencave. Ajo i dorëzoi ditë më parë gjashtë avionë ushtarakë MiG-29 Serbisë, ndërsa pritet që të dërgojë në Beograd edhe 30 tanke T-72 dhe 30 automjete të blinduara.

Megjithatë Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.

Në fillim të kësaj jave Serbia edhe zyrtarisht hapi dialogun e brendshëm për çështjen e Kosovës në kërkim të siç thuhet "një marrëveshjeje historike me shqiptarët".

Hapja e këtij dialogu të nisur nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, nxiti shumë reagime në Serbi ku janë hedhur edhe ide për ndarjen e Kosovës, ide këto që janë hedhur poshtë nga Prishtina.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme