Arbëri

Të dielën marsh protestues për Astrit Deharin

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se të dielën, më 5 nëntor në orën 15:00 para Bibliotekës Kombëtare, do të mbahet marsh protestues për Astrit Deharin.

“Të dielën më 5 nëntor bëhet një vit nga dita kur Astrit Dehari vdiq, në rrethana të dhunshme, në duart e shtetit, në qelinë e burgut të Prizrenit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Tutje, aty thuhet se Astriti u burgos padrejtësisht. Por ai ishte militant i së drejtës, në shoqëri e në politikë. Me gjithë kërkesat e mbarë shoqërisë, brenda e jashtë Republikës së Kosovës, institucionet përgjegjëse nuk e kanë mundësuar një hetim të pavarur, të paanshëm dhe të besueshëm, që do t’i zbardhte rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së tij.

“Astrit Dehari nuk është më thjesht çështje e zbardhjes së rrethanave e shkaqeve të vdekjes së një të burgosuri politik. Ai është ndërgjegjja jonë kombëtare dhe shoqërore. Shënjues i angazhimit dhe vullnetit tonë të përbashkët, për një shoqëri të lirë dhe të drejtë”.

Vetëvendosje të dielën, fton të marshohet dhe protestohet bashkërisht për t’i bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha autoriteteve shtetërore që të marrin urgjentisht përgjegjësitë e tyre për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit.

“Në ora 15:00 para Bibliotekës Kombëtare, kërkojmë Drejtësi për Astritin”, thuhet në fund të njoftimit.